SEMUNDJET RENALE

SEMUNDJET RENALE

    A e dini se ?

    A e dini se : Çdo minutë, përmes arterieve të veshkave, hyn në veshka rreth një litër gjak,apo një e pesta e tërë gjakut që pompohet nga zemra. Pasi pastrohet gjaku kthehet përsëri në trup.

    A e dini se: Çdo ditë veshkat tuaja kontrollojnë me kujdes sasinë e kripës dhe të ujit në trupin tuaj në mënyrë që tensioni juaj i gjakut te mbetet i njëjtë.

    A e dini se: Veshkat prodhojnë hormonin e reninës që rregullon tensionin dhe volumin e gjakut

    A e dini se: Veshkat prodhojnë hormonin e eritropoetinës që stimulon palcën e kockave për të prodhuar rruazat e kuqe të gjakut

    A e dini se: Veshkat aktivizojnë vitaminën D,e cila është e rëndësishme për të pasur kocka të shëndcetëshme.

    Disa fakte

    Në botë më shumë se 10% e popullsisë së rritur apo 1 në 10 persona, ka ndonjë formë të dëmtimit të veshkave 90% e atyre që vuajnë nga SK e veshkave mbeten të paidentifikuar

    Shkaku i sëmundjeve të veshkave, shpesh, mbetet i panjohur

    Diabeti i sheqerit dhe tensioni i lartë në gjak janë në shkaktarët kryesorë të SKV

    Sëmundja e zemrës është shkaku kryesor i vdekjes për të gjithë njerëzit me sëmundje kronike të veshkave. Çdo vit miliona vetë vdesin para kohe nga sëmundjet kardiovaskulare të lidhura me sëmundjet kronike të veshkave, vdekjet nga sëmundjet kardiovaskulare janë 8 herë më të larta tek pacientët me sëmundje kronike të veshkave.

    Zbulimi i hershëm mund të ndihmojë parandalimin e progresionit të sëmundjes së veshkave në SK të veshkave.

    Veshkat janë organe sa të komplikuara aq edhe të mahnitshme.

    Ato kanë role të shumta biologjike, si:

    • rregullojnë ekuilibrin e ujit në trup dhe përbërësve të tjerë kimikë në gjak si:
    • sodiumi, potasi, fosfori dhe kalciumi;
    • eliminojnë një sërë toksinash nga trupi ynë;
    • prodhojnë disa hormone, p.sh. reninën që ndikon në presionin arterial,
    • nxisin prodhimin e qelizave të kuqe në palcën e kockave dhe
    • marrin pjesë në prodhimin e formës aktive të vitaminës D.

    Sëmundjet e veshkave janë shumë të shpeshta te popullata dhe përgjithësisht janë:

    • infeksion urinar kronik në 25 % të rasteve;
    • nefropatia diabetike në 20 %;
    • policistoza renale në 17 %;
    • glomerulonefriti kronik në 12-15 % të rasteve .

    Gjatë dekadave të fundit është vënë re një rritje e madhe  e numrit të personave që preken nga diabeti dhe për rrjedhojë kemi edhe një rritje të insuficiencës renale.

    Përveç kësaj, një shkak madhor i insuficiencës renale vazhdon të jetë hipertensioni. Përsa i përket infeksioneve kronike, kjo ka të bëjë shumë edhe me vendin ku banon i sëmuri, psh. në vendet me standard të lartë jetese vihet re një ulje e ndjeshme e këtyre rasteve.

    Fazat e jetës së njeriut karakterizohen nga shfaqje të ndryshme të patologjive renale. Te moshat pediatrike duhet patur kujdes me refluksin urogenital, sindromin nefrotik dhe infeksionet e rrugëve urinare, të cilat këshillohet që të diagnostikohen dhe të trajtohen sa më shpejt të jetë e mundur. Në moshat madhore, krahas ndikimeve të rëndësishme, siç janë diabeti dhe hipertensioni, kemi një problematikë të shtuar edhe si pasojë e konsumit të alkoolit, drogave të ndryshmea, përdorimit të tepruar për një kohë të gjatë të medikamenteve që kanë ndikim mbi veshkën, etj.

    Problematikat më të hasura te veshkat

    1. Insuficienca renale ndodh kur veshka nuk arrin të menaxhojë balancën e ujit dhe përbërësve të tjerë kimikë në gjak. Tek insuficienca akute kemi një fillim të menjëhershëm të sëmundjes dhe një ndërprerje të shpejtë të funksionit të veshkës. Në insuficiencën renale kronike, kemi një rënie të ngadaltë të funksionit të veshkës deri në humbjen e plotë të funksionit të saj. Në të dyja rastet vihet re një rritje e konsiderueshme e vlerave të Kreatininës dhe Azotemisë.
    2. Infeksionet urinare shkaktohen nga prania e shtuar e baktereve në urinë. Këto lloj infeksionesh ndodhin tek të gjitha moshat por ka një tendencë që femrat të preken më shumë se meshkujt.
    3. Kalkuloza renale (gurët në veshka) janë shqetësime të shpeshta të hasura në patologjitë e veshkës. Me anë të medikamentëve dhe barnave synohet të arrihet largimi i tyre nga veshka, si dhe reduktimi i dhimbjes që ata japin. Ndërhyrjet kirurgjikale janë shpesh të paevitueshme.

    Simptomat e sëmundjeve renale

    Përgjithësisht sëmundjet renale fillojnë pa shumë shqetësime, por vijnë duke u theksuar. Ndër këto shqetësime vihen re:

    • Edema
    • Lodhje
    • Ndryshim në urinim
    • Dhimbje
    • Enureze
    • Të përziera dhe të vjella
    • Vështirësi në frymëmarrje
    • Dhimbje mesi
    • Humbje oreksi

    Kur duhet të konsultoheni me mjekun?

    Është e detyrueshme të konsultoheni me mjekun në të gjitha rastet kur dhimbjet janë të menjëhershme dhe tepër të forta, ose nëse ato përkeqësohen me shpejtësi.

    • Kur pacienti ka vështirësi me urinimin apo ndërprerje të urinimit.
    • Shërbimi i urgjencës duhet të kontaktohet menjëherë kur:
    • Shfaqen probleme të tjera, si temperaturë e lartë, vështirësi në frymëmarrje, të vjella të forta, diarre ose dhimbje në zonën e zemrës;
    • Përkeqësohet gjendja e përgjithshme;
    • Shfaqet pas një goditjeje (rrëzimi, aksidenti apo gjuajtje) dhimbja e barkut;
    • Pacienti ka probleme me orientimin ose komunikimin;
    • Shtohen të vjellat;
    • Konstatohet gjak në urinë;
    • Shfaqen dhimbje gjatë një shtatzënie;
    • Dhimbjet e barkut janë të përsëritura.

    Sëmundjet kronike të veshkave (SKV) shkaktojnë humbje progresive të funksionit të veshkave. Periudha kohore rezulton nga disa muaj deri në disa vite. Kur funksioni i veshkave bie nën një nivel të caktuar, bëhet fjalë për pamjaftueshmëri apo insuficiencë të veshkave. Insuficienca e veshkave ndikon në të gjithë trupin, duke e bërë individin të ndihet i sëmurë. Gjithashtu, insuficienca e veshkave, e patrajtuar apo e pamjekuar, mund të jetë kërcënuese për jetën.

    Çfarë nuk duhet të harrojmë:

    • Sëmundja kronike e veshkave në fazat e hershme nuk ka shenja ose simptoma;
    • Sëmundja kronike e veshkave zakonisht nuk zhduket;
    • Sëmundja e veshkave mund të trajtohet dhe sa më herët të bëhet diagnostikimi, aq më shumë rriten mundësitë për të marrë një trajtim sa më efektiv;
    • Analizat e gjakut dhe urinës kryhen për të kontrolluar sëmundjet e veshkave;
    • Sëmundjet e veshkave mund të përparojnë deri në mosfunksionimin e tyre.

    Si matet funksioni i veshkave?

    Treguesi kryesor i funksionit të veshkave është niveli i kreatininës në gjak. Nëse funksioni i veshkave ngadalësohet, niveli i kreatininës rritet. Kontrolli i nivelit të kreatininës mund të bëhet nga një analizë gjaku.

    Funksioni i veshkave matet më së miri nga një indikator i quajtur GFR (Shkalla ose Niveli i Filtracionit Glomerular), i cili mat normën e filtrimit të gjakut nga veshkat. Ky tregues i lejon mjekët të përcaktojnë nivelin e dëmtimit të funksionit të veshkave.

    Shkaqet e sëmundjeve kronike të veshkave

    Presioni i lartë i gjakut (hipertensioni) dhe diabeti janë shkaktarët më të zakonshëm të sëmundjes së veshkave. Presioni i lartë i gjakut shkakton pak më shumë se një të katërtën e të gjitha rasteve të dëmtimit të veshkave. Diabeti është shkaku i rreth një të tretës së të gjitha rasteve, dhe është shkaku më i zakonshëm i Insuficiencës Renale në pjesën më të madhe të vendeve të zhvilluara.

    Kushtet e tjera më pak të zakonshme përfshijnë inflamacionin (glomerulonefritin) ose infeksionin (pyelonefritin). Ndonjëherë sëmundjet kronike të veshkave janë të trashëguara (të tilla si sëmundja polikistike), ose mund të jenë si rezultat i bllokimit për një kohë të gjatë të sistemit urinar (të tilla si zmadhimi i prostatës ose gurët në veshka).

    Sëmundjet kronike të veshkave po bëhen çdo ditë e më shumë një problem i shëndetit publik në mbarë botën dhe shoqërohen me vdekshmëri të lartë. Gjithashtu ato janë problem social dhe ekonomik për të sëmurët, familjet e tyre dhe të gjithë shoqërinë.

    Veshkat preken nga një shumëllojshmëri sëmundjesh dhe çrregullimesh. Në shumicën e sëmundjeve, sulmohen njësitë e filtrimit të veshkave (nefronet) dhe dëmtohen aftësitë e tyre për të eliminuar mbeturinat dhe lëngjet e tepërta. Disa forma të sëmundjes mund të jenë të trashëguara, ndërsa të tjerat janë të fituara.

    Sëmundjet më të shpeshta të veshkave janë:

    • Kalkuloza Renale është termi që përdoret në rast të pranisë së gurëve në sistemin urinar. Madhësia dhe përbërja e tyre është e ndryshme dhe mund të shkaktojnë dhimbje të forta. Meshkujt janë më shpesh të prekur se femrat.
    • Infeksionet e traktit urinar shkaktohen nga prania e shtuar e baktereve në urinë. Infeksionet janë më të shpeshta te femrat sesa te meshkujt.
    • Glomerolunefriti, një grup i sëmundjeve që shkaktojnë inflamacion dhe dëme në njësitë e filtrimit të veshkave.
    • Insuficienca Renale zhvillohet kur veshkat nuk janë më të afta të rregullojnë balancën e ujit dhe të përbërësve të tjerë kimikë në gjak. Insuficienca Renale është e formës akute (fillim i menjëhershëm dhe humbje e përkohshme e funksionit të veshkave) dhe mund të jetë pasojë e traumave, hemorragjive, përdorimit të disa medikamenteve, gjendjeve skeptike, etj. Insuficienca Renale është edhe e formës kronike, si pasojë e uljes graduale të funksionit të veshkave ndër vite.
    • Keqformime të lindura, që ndodhin gjatë zhvillimit të një fëmije në mitrën e nënës së tij. Përshembull, mund të ndodhë një ngushtim që parandalon rrjedhjen normale të urines; kjo shkakton infeksione dhe mund të dëmtojë veshkat.
    • Dëmtimet e veshkave nga diabeti i sheqerit dhe tensioni i lartë i gjakut.

    Shkaku i sëmundjeve të veshkave shpesh mbetet i panjohur, duke u shndërruar në një problem aktual i shëndetit publik. Megjithatë, ka disa kushte apo gjendje që ndikojnë në zhvillimin e tyre dhe janë të gjitha kushte apo gjendje si:

    • Diabeti i sheqerit;
    • Tensioni i lartë në gjak;
    • Glomerulonefriti;
    • Sëmundjet e trashëguara (si sëmundja e veshkave polikistike);
    • Keqformimet e lindura;

    Lupusi dhe sëmundje të tjera që ndikojnë në sistemin imunitar të trupit;

    Pengesat e shkaktuara nga probleme si gurët në veshka, tumoret apo një gjëndër e zgjeruar e prostatës te burrat;

    Infeksionet urinare të përsëritura.

    Tre teste të thjeshta mund të zbulojë SK të veshkave:

    • kontrolli i tensionit të gjakut;
    • gjetja e albuminës në urinë;
    • matja e kreatininës në serum.

    Rritja e sasisë së proteinave në urinë është një tregues i pranisë së sëmundjeve kronike të veshkave.

    SK të veshkave nuk janë të shërueshme dhe pacienti do të ketë nevojë për përkujdesje për pjesën tjetër të jetës së tij.

    Sipas Shoqatës Shqiptare të Nefrologjisë, shkaktarë të sëmundjeve kronike të veshkave janë:

    • Glomerulonefriti (24.4%);
    • Infeksionet e traktit urinar(31%);
    • Nefropatia diabetike;
    • Kalkuloza Renale;
    • HTA;
    • Etj.

    Sëmundjet kronike të veshkave jo vetëm vazhdojnë të rriten në mbarë botën, por po shfaqen në faza mjaft të avancuara. Ato janë cilësuar vrasës të heshtur, pasi dëmtimi i veshkave ndodh në mënyrë të ngadalshme dhe të fshehtë për një periudhë të gjatë kohore, prej muajsh apo vitesh, çka sjell një diagnostikim të vonshëm të tyre dhe dëmtime të rënda të veshkave; që më pas kërkojnë terapi zëvendësuese të funksionit të tyre apo të vetë veshkave, si dializë apo transplant.

    Sëmundjet kronike të veshkave ndodhin te kushdo, por më të rrezikuar janë:

    • Personat mbi 50 vjeç;
    • Pacientët që vuajnë nga diabeti;
    • Pacientët që vuajnë me tension të lartë të gjakut;
    • Njerëzit me një histori familjare të sëmundjeve të veshkave;
    • Njerëzit me sëmundje kardiovaskulare;
    • Njerëzit me mbipeshë apo të dhjamosur;
    • Duhanpirësit.

    Shenjat e SK të veshkave:

    Fillimi i sëmundjes shpesh mund të jetë i heshtur, pa shenja të dukshme për pacientin, ose me shenja të cilat ai i konsideron si pjesë të normalitetit të tij të përditshëm. Ndër shqetësimet më të shpeshta që paraqesin të sëmurët me sëmundje të veshkave mund të përmendim:

    • Ndryshime të urinimit si: urinim të shpeshtë (mbi 4-5 herë në ditë), me dhimbje ose djegie, me ngjyrë të kuqe apo të errët, ndryshim të sasisë së urinimit, etj.
    • Shfaqje te edemave (ënjtjeve) në: këmbë, duar apo fytyrë.
    • Shqetësime të tjera janë: lodhja, të përzierat, të vjellat, vështirësia në frymëmarrje, dhimbjet e mesit.

    Për parandalimin e sëmundjeve të veshkave duhet të mbani parasysh disa këshilla, të cilat njihen si 7 rregullat e arta:

    • Bëni rregullisht aktivitet fizik, të paktën 30 minuta, në pesë ditë të javës. Aktiviteti fizik zhvillohet duke ecur me ritëm mesatar, vrapuar, duke lëvizur me biçikletë, etj. Aktiviteti fizik është i rëndësishëm për funksionin e veshkave, pasi përmirëson funksionin e muskujve, ul tensionin e gjakut, kolesterolin në gjak, mban një peshë të shëndetshme të trupit dhe përmirëson gjumin.
    • Kontrolloni rregullisht nivelin e sheqerit në gjak. Gjysma e njerëzve që vuajnë nga sëmundja e sheqerit, janë të ekspozuar nga sëmundjet kronike të veshkave. Pacientët diabetikë duhet të bëjnë një kontroll të rregullt të albuminurisë, të paktën një herë në gjashtë muaj, të mbajnë në normë shifrat e glicemisë, si dhe të kenë kujdes me dietën.
    • Masni rregullisht tensionin e gjakut. Pak njerëz e dinë se tensioni i lartë i gjakut është një shkaktar i zakonshëm i dëmtimit të veshkave. Pacientët me tension të lartë të gjakut, duhet të mbajnë nën kontroll shifrat e tensionit, të kenë kujdes me dietën dhe aktivitetin fizik, pasi të gjitha këto ngadalësojnë progresionin drejt sëmundjes renale kronike.
    • Ushqehuni shëndetshëm dhe mbani peshën nën kontroll. Ngrënia e shëndetshme parandalon diabetin, sëmundjet e zemrës dhe faktorë të tjerë të lidhur me sëmundjet kronike të veshkave. Çdo ditë përdorni 5 porcione fruta e zarzavate, 5 porcione drithëra, pini jo më pak se 1,5-2 litra ujë dhe reduktoni marrjen e kripës. Rekomandohet konsumi i jo më shumë se 5-6 gramë kripë në ditë, rreth një lugë çaji, si dhe të shmanget konsumi i ushqimeve të kripura.
    • Shmangni pirjen e duhanit. Nikotina dëmton muret e brendshme të enëve të gjakut dhe lejon yndyrnat dhe pllakëzat e gjakut që të ngjiten tek to; ngadalëson rrjedhjen e gjakut në veshka dhe dëmton funksionimin e tyre. Duhanpirja rrit rrezikun për kancer të veshkave me 50%.
    • Shmangni përdorimin e ilaçeve pa konsultën e mjekut. Shumë pacientë, sidomos të moshuarit, preken nga sëmundjet kronike të veshkave pasi përdorin me shumicë ose pa kriter ilaçe anti-inflamatore, për të qetësuar dhimbje të ndryshme.
    • Bëni ekzaminime, nëse jeni të rrezikuar ndaj sëmundjeve kronike të veshkave, ap

    Bëni ekzaminime, për të parë nëse jeni të rrezikuar nga sëmundjet kronike të veshkave; për të identifikuar faktorët e lartë të rrezikut.

    Rezervo Vizitën

    spitali gjerman vizite