INFEKSIONET E RRUGËVE URINARE
INFEKSIONET E RRUGËVE URINARE
Infeksionet e rrugëve urinare janë infeksione që prekin aparatin urinar. Infeksioni shfaqet fillimisht në uretër ose në fshikëzën urinare. Nëse agjenti shkaktar i infeksionit përhapet duke u ngjitur nga fshikëza e urinës ose ureteri për në veshka, bëhet fjalë për infeksion ngjitës.
Në pjesën më të madhe të rasteve (80%-90%), infeksioni rezulton nga bakteriet (E.Koli) me origjinë nga zorrët.
Infeksionet e rrugëve urinare janë më të shpeshta te femrat e rritura dhe foshnjat e gjinisë mashkullore. Femrat dhe meshkujt mbi 50 vjeç vuajnë pothuajse në mënyrë të barabartë nga infeksionet e rrugëve urinare. Rreth një në tre gra shtatzëna shfaqin të paktën një herë gjatë shtatzanisë ose pas lindjes një infeksion të rrugëve urinare.
Shkaqet
Pjesa më e madhe e infeksioneve të rrugëve urinare shkaktohen nga bakteri E. Koli, që gjendet në zorrë. Në raste të rralla, përgjegjëse për infeksionin mund të jenë edhe bakterie të tjera, viruse ose kërpudha. Në këto raste, agjenti shkaktar i infeksionit e ka origjinën në vaginë ose zorrë, nga ku prek uretrën ose fshikëzën e urinës. Në raste të rënda, ato ngjiten nëpërmjet ureterit dhe prekin veshkën.
Këta agjentë ngjiten në murin qelizor dhe shkaktojnë inflamacion. Disa baktere sekretojnë një enzimë, që e bën urinën alkaline, dmth më pak acide. Mjedisi alkalin është tepër i favorshëm për bakteret, për pasojë ato shumohen mjaft aty. Gjithashtu, urinat alkaline favorizojnë edhe formimin e gurëve.
Mënyra të tjera të infektimit:
- Bakteret arrijnë në aparatin urinar nëpërmjet qarkullimit të gjakut.
- Gjatë vendosjes dhe mbajtjes për një kohë të gjatë të kateterëve urinarë, infeksionet janë të shpeshta.
- Infekstimet e drejtpërdrejta nga një vatër infeksioni në bark, psh. në peritoneum (peritonit), ose në zorrë (divertikulit). Te femrat, sëmundjet gjinekologjike si inflamacioni i tubave të Fallopit, mund të shërbejnë si vatër parësore e infeksionit.
Faktorët e rrezikut ose sëmundjet që favorizojnë një infeksion të rrugëve urinare:
Te të dyja gjinitë:
- diabeti i sheqerit;
- çrregullimet e eleminimit të urinës, si pasojë e bllokimeve, ngushtimeve, pengesave ose inflamacioneve të rrugëve urinare;
- formimi i gurëve në aparatin urinar (urolitiaza);
- ekzaminimet e aparatit urinar me anën e instrumenteve mjekësore (eksplorimet, futja e kateterëve);
- dobësimi i aftësive mbrojtëse të organizmit (imunitetit);
- sëmundjet metabolike (guta);
- sasia e pamjaftueshme e lëngjeve të marra gjatë ditës, dhe për pasojë volumi i pakët i urinës që eleminohet;
- faktorët gjenetikë;
- marrëdhëniet seksuale (veçanërisht ato anale);
- transplanti i veshkave.
Vetëm te meshkujt:
- hipertrofia ose kanceri i prostatës;
- ngushtimi i prepuciumit (fimosis);
- anomalitë e lindura, veçanërisht tek djemtë e vegjël.
Vetëm te femrat:
- shtatzënia;
- mënyrat e kontracepsionit mekanik ose kimik (pomadat spermicide, steriletë, diafragmat, etj);
- te femrat uretra është e shkurtër dhe i lejon bakteret të arrijnë në aparatin urinar shumë më shpejt se te meshkujt;
- femrat që kanë disa disa antigenë të grupit të gjakut duket se janë më të ndjeshme ndaj infeksioneve urinare;
- te femrat, shpesh mungojnë antitrupat e mukozës kundër bakterit E.Koli.
Simptomat
Infeksioni i traktit urinar: urinim i shpeshtë, i dhimbshëm.
Simptomat në rastin e infeksionit të rrugëve të poshtme urinare (uretra, fshikëza e urinës) janë:
- dhembje dhe ndjesi e djegies gjatë urinimit;
- dhembje dhe shtrëngime në fund të barkut, në zonën pubike;
- vështirësi në zbrazjen e fshikëzës (dizuria);
- nevojë e shpeshtë për të urinuar (polakiuri), me nxjerrjen e sasive të vogla të urinës;
- urinime të shpeshta gjatë natës (nikturia);
- zbrazje e dhimbshme dhe e pavullnetshme e fshikëzës urinare (stranguria);
- sipas rastit, prania e gjakut në urinë (hematuria).
Simptomat në rastin e infeksionit të rrugëve të sipërme urinare (ureterët dhe veshkat):
- temperaturë e lartë, ethe, dobësi e përgjithshme trupore;
- të përziera;
- kapsllëk;
- dhembje mesi dhe në veshka, përgjithësisht e njëanshme;
- dhembje në shpinë;
- nevojë e shpeshtë për të urinuar (polakiuria), me nxjerrjen e sasive të vogla të urines;
- vështirësi në zbrazjen e fshikëzës urinare (dizuria);
- përshpejtim i ritmit të zemrës (takikardia).
Përveç këtyre simptomave, fëmijët shfaqin edhe: të vjella, mungesë e dëshirës për të pirë, plogështi, lëkurë të zbehtë, dhembje barku dhe urinim të pavullnetshëm gjatë natës.
Te personat e moshuar, shpesh simptomat nuk shprehen dhe injorohen nga pacientët, pasi nuk i konsiderojnë sëmundje, dhe për pasojë nuk kërkojnë këshilla nga mjeku. Infeksionet e rrugëve urinare janë tepër të shpeshta te personat mbi 65 vjeç.
Diagnostikimi
Infeksioni i traktit urinar: zbulimi i baktereve në urinë.
Diagnostikimi i infeksioneve të rrugëve urinare bazohet në:
- historinë e sëmundjes;
- simptomat që paraqet pacienti;
- ekzaminimin fizik të tij;
- analizat e urinës, për identifikimin e agjentit shkaktar të infeksionit, praninë e gjakut në urinë, etj;
- analizat e gjakut, për vlerësimin e treguesve të inflamacionit;
- sipas rastit, kryerja e ekzaminimit ekografik, në rastet kur dyshohet për gurë urinarë ose inflamacion të veshkës.
Për marrje korrekte të urinës për analizë, duhet të hidhet në tualet currili i parë i urinës, më pas të hidhet një sasi e caktuar urine në gotën sterile (pjesa e mesit) për analizën, dhe pjesa tjetër të hidhet në tualet.
Trajtimi
Infeksione të traktit urinar: shumë lëngje, antibiotikë për infeksionet bakteriale.
Trajtimi i infeksioneve të rrugëve urinare varet nga rëndësia, tipi dhe shkaku i infeksionit. Në rastin e sëmundjeve kryesore (parësore), fillimisht duhet të trajtohen ato në mënyrë korrekte.
Në rast se nuk trajtohen ose trajtohen në mënyrë jokorrekte, pjesa më e madhe e infeksioneve të thjeshta të aparatit urinar shërohen pa ndërlikime.
Masat e përgjithshme
Masat e përgjithshme që rekomandohen në rastin e infeksionit të thjeshtë të rrugëve urinare janë:
- Konsumi i sasive të mëdha të lëngjeve gjatë ditës, dmth 3-4 litra në ditë (çaj pa sheqer ose ujë), që mundëson pastrimin në thellësi të rrugëve urinare. Kjo vlen për të gjitha tipet e infeksioneve të rrugëve urinare, veçanërisht për personat e moshuar, që e kanë të dobët ndjesinë e etjes.
Medikamentet
Në rastin e infeksioneve bakteriale, antibiotikët duhet të vazhdojnë me një kohëzgjatje të mjaftueshme, që të mund të evitojnë përsëritjen e infeksionit. E rëndësishme: edhe gratë shtatzëna duhet t’i nënshtrohen trajtimit.
Sipas rastit, mund të përdoren medikamente antispazmolitike dhe antialgjike.
Medikamentet me përbërje bimore
Medikamentet bimore janë tepër të dobishme, veçanërisht kur shoqërohen me antibiotikë, në rastin e infeksioneve urinare të lehta ose mesatare, si dhe në infeksionet e përsëritura.
Operacionet
Ndërhyrja kirurgjikale konsiderohet si alternativa e fundit e trajtimit në rastet e gurëve të mëdhenj, ngushtimeve, bllokimeve, pengesave dhe keqformimeve të aparatit urinar.
Ndërlikimet e mundshme
Infeksionet e rrugëve urinare zakonisht përsëriten dhe mund të shoqërohen me ndërlikime.
Në infeksionet e sipërme (ureterët, veshkat), kur dyshohet për gurë dhe pacienti paraqet temperaturë të lartë të vazhdueshme, ai duhet të shtrohet menjëherë në spital dhe t’i nënshtrohet terapisë korrekte, pasi rrezikon për septicemi, e cila mund t’i shkaktojë vdekjen në disa rrethana ekstreme.
Masat parandaluese Infeksioni i traktit urinar: pirja e rregullt e lëngjeve e parandalon.
Infeksionet e rrugëve urinare mund të parandalohen duke respektuar këto rregulla të përgjithshme:
- Të konsumoni i 2-3 litra lëngje në ditë.
- Të përdorni veshje ose kompresave të ngrohta në fundin e barkut.
- Të mos nguteni gjatë urinimit, derisa fshikëza të zbrazet plotësisht.
- Të ruani higjienë të mirë, veçanërisht pas defekimit: pastrimi duhet të bëhet gjithmonë nga para-prapa, në mënyrë që të mos kalojnë bakteriet e zorrës në rrugët urinare. Shkaktar i këtij kalimi mund të jenë edhe mbathjet e holla.
- Të kryeni urinimin para dhe pas marrëdhënieve seksuale.
- Të përdorni veshjeve dhe të brendshme me material të shëndetshëm, jo sintetik.
- Të konsumoni çajin e lules së blirit për fshikëzën urinare dhe lëngjet me veti diuretike, pra që nxisin urinimin, pasi mund të ndihmojnë në parandalimin e një infeksioni të ri të rrugëve urinare.
Rezervo Vizitën
