HERNIA INGUINALE

HERNIA INGUINALE

    Një hernie inguinale ndodh kur indet, të tilla si një pjesë e zorrëve, dalin përmes një vendi të dobët në muskujt e barkut. Fryrja që rezulton mund të jetë e dhembshme, veçanërisht kur kolliteni, përkuleni ose ngrini një objekt të rëndë. Megjithatë, shumë hernie nuk shkaktojnë dhembje.

    Një hernie inguinale nuk është domosdoshmërisht e rrezikshme. Mjeku ka të ngjarë të rekomandojë kirurgji për të rregulluar një hernie inguinale që është e dhembshme ose e zmadhuar. Riparimi i hernies inguinale është një procedurë e zakonshme kirurgjikale.

    Simptomat:

    Shenjat dhe simptomat e hernies inguinale përfshijnë:

    • një fryrje në njërën ose në të dyja anët e rrëzës së kofshës
    • një ndjesi djegieje ose dhembjeje në fryrje
    • dhembje ose diskomfort kur përkuleni, kolliteni ose ngriheni
    • herë pas here, dhembje dhe ënjtje rreth testeve kur zorra zbret në skrotum

    Kujdes: Nëse nuk jeni në gjendje ta shtyni hernien brenda, përmbajtja e hernies mund të bllokohet (inkarcerohet) në paretin abdominal. Një hernie e bllokuar mund të jetë kërcënuese për jetën nëse nuk trajtohet në kohë.

    Shenjat dhe simptomat e një hernie të bllokuar përfshijnë:

    • të përziera, të vjella ose të dyja
    • ethe
    • dhembje të papritur që rritet shpejt
    • hernia ndryshon ngjyrë duke u bërë e kuqe, vjollcë ose e errët
    • pamundësia për të eleminuar gazra

    Shkaqet:

    Disa hernie inguinale nuk kanë ndonjë shkaktar specifik, të tjera mund të ndodhin si rezultat i:

    • presionit të shtuar intra-abdominal
    • një pike të dobët ekzistuese në paretin abdominal
    • sforcimit gjatë lëvizjeve të zorrëve ose urinimit
    • aktivitetit të sforcuar
    • shtatëzënisë
    • kollitjes ose teshtitjes kronike

    Faktorë rreziku:

    Faktorët që kontribuojnë në zhvillimin e një hernie inguinale janë:

    • gjinia mashkull – pasi burrat kanë tetë herë më shumë gjasa të zhvillojnë një hernie inguinale sesa gratë;
    • mosha e madhe – sepse muskujt dobësohen me kalimin e viteve;
    • historia familjare;
    • kolla kronike – psh si pasojë e duhanpirjes;
    • kapsllëku kronik;
    • shtatzënia – pasi të qënurit shtatzënë mund të dobësojë muskujt e barkut
    • lindja e parakohshme dhe foshnjat që lindin me peshë të ulët;
    • herniet inguinale të mëparshme ose riparimi i hernies – edhe nëse hernia juaj e mëparshme ka ndodhur në fëmijëri, ju keni rrezik më të lartë për të zhvilluar një hernie tjetër inguinale.

    Komplikimet

    Komplikimet e një hernie inguinale përfshijnë:

    Presion në indet përreth. Shumica e hernieve inguinale zmadhohen me kalimin e kohës nëse nuk riparohen me kirurgji. Te meshkujt, herniet e mëdha mund të shtrihen në skrotum, duke shkaktuar dhembje.

    Hernie të bllokuar. Nëse përmbajtja e hernies bllokohet, përmbajtja mund të pengojë zorrën, duke çuar në dhembje të forta, të përziera, të vjella dhe pamundësi për të defekuar ose për të eleminuar gazra.

    Hernie të stranguluar. Ndërprerje e furnizimit me gjak në një pjesë të zorrëve. Strangulimi mund të çojë në vdekjen e indit të zorrëve të prekura, e cila është një situate kërcënuese për jetën, që kërkon trajtim të menjëhershëm kirurgjikal.

    Diagnostikimi:

    Ekzaminimi objektiv është mënyra më e zakonshme e evidentimit të një hernieje inguinale. Nëse diagnoza nuk është lehtësisht e dukshme, iu referohemi ekzaminimeve imazherike si ekografia abdominale, skanimi CT ose MRI.

    Mjekimi

    Nëse hernia është asimptomatike, këshillohet observim dhe rikontrolle të vazhdueshme.

    Herniet e zmadhuara ose të dhembshme, zakonisht kërkojnë kirurgji për të lehtësuar shqetësimet dhe për të parandaluar komplikimet serioze. Riparimi i hernies realizohet me Kirurgji të hapur dhe me atë Laparoskopike.

    Rezervo Vizitën

    spitali gjerman vizite