FIBRILACIONI ATRIAL
FIBRILACIONI ATRIAL
Fibrilacioni atrial, i quajtur shpesh FA, është lloji më i shpeshtë i çrregullimit të ritmit të zemrës. Aritmia është një gjendje ku zemra rreh shumë ngadalë, shumë shpejt ose në mënyrë të çrregullt.
Një rrahje normale dhe e shëndetshme e zemrës përfshin një tkurrje të rregullt të muskujve të saj. Një tkurrje ndodh rreth një herë në sekondë në kushtet e qetësisë dhe rritet gjatë stërvitjes.
Çdo tkurrje e shtyn gjakun nga atriumet (dy dhomat e sipërme) në ventrikujt (dy dhomat e poshtme), të cilat pastaj tkurren dhe e shtyjnë gjakun në mushkëri ose në pjesën tjetër të trupit.
Por te një person me FA, sinjalet elektrike të gabuara bëjnë që atriumet të kontraktohen në mënyrë të parregullt dhe shumë më shpejt se normalja. Atriumet pastaj dalin jashtë sinkronizimit me ventrikujt. Gjaku mund të grumbullohet në atrium, gjë që mund të çojë në mpiksje gjaku dhe goditje në tru (stroke). FA bën që dhomat e poshtme të rrahin shumë shpejt, çka mund të shkaktojë insufiçencë të zemrës.
Cilat janë llojet e Fibrilacionit Atrial?
Ekzistojnë tre lloje të fibrilacionit atrial:
- FA paroksizmal: Ky lloj Fibrilacioni shfaqet me ndërprerje dhe ndalon vetë brenda shtatë ditëve.
- FA i vazhdueshëm/persistent: Ky lloj fibrilacioni atrial zgjat më shumë se shtatë ditë. Ndryshe nga FA paroksizmal, mund të kërkojë kardioversion (goditje elektrike në zemër) për të rikthyer ritmin normal.
- FA i qëndrueshëm për një kohë të gjatë: Ky është i ngjashëm me FA-në e vazhdueshëm, por zgjat më shumë se një vit.
Cilat janë simptomat e Fibrilacionit Atrial?
Disa njerëz nuk e dinë se kanë FA, sepse nuk kanë asnjë simptomë. Të tjerët mund të përjetojnë një ose më shumë nga simptomat e mëposhtme:
- palpitacione (pacienti i ndjen të rrahurat e zemrës më shumë se zakonisht);
- angina (dhembje gjoksi e shkaktuar nga furnizimi i reduktuar i gjakut në muskulin e zemrës);
- ndjesia e mbytjes;
- marrje mendsh;
- lodhje e dobësi të theksuar trupore;
- djersë;
- gjendje të fikëti;
- dispne (marrje fryme)
Cilët janë faktorët e riskut për Fibrilacionin Atrial?
Rreziku për FA rritet me moshën. Presioni i lartë i gjakut, rreziku për të cilin gjithashtu rritet me rritjen e moshës, përbën rreth 1 në 5 raste të FA.
Faktorët e riskut për FA janë:
- mosha e tretë;
- tensioni i lartë i gjakut;
- obeziteti;
- prejardhja europiane;
- diabeti;
- sëmundja ishemike e zemrës;
- sëmundja e valvulave të zemrës;
- sëmundjet e gjëndrës tiroide (hipertiroidizmi);
- sëmundja kronike e veshkave;
- përdorimi i moderuar dhe i rëndë i alkoolit;
- pirja e duhanit dhe alkoolit;
- zgjerimi i dhomave në anën e majtë të zemrës;
- niveli i lartë i stresit;
- apnea e gjumit;
- gjenetika;
- infeksionet virale;
- sëmundjet e lindura të zemrës;
- sëmundja e arterieve koronare;
- kardiomiopatitë;
- embolia pulmonare (tromboza e gjakut në mushkëri);
- sëmundjet kronike të mushkërive.
Në disa raste, nuk gjendet një sëmundje që ta ketë shkaktuar. Në këto raste, fibrilacioni atrial mund të jetë i lidhur me përdorimin e tepërt të alkoolit apo kafeinës, me stresin, disa medikamente të caktuara, çrregullime elektrolitike apo metabolike, infeksione të rënda, apo faktorë gjenetik. Në disa raste nuk mund të gjendet asnjë shkak se përse është shfaqur.
Si diagnostikohet FA?
- Marrja e anamnezës dhe ekzaminimi objektiv i pacientit
- Nëse mjekët dyshojnë për një diagnozë FA, ata do të kryejnë një ekzaminim fizik, duke përfshirë një kontroll të të rrahurave dhe ritmit të zemrës. Ata gjithashtu do të urdhërojnë një elektrokardiogram (EKG), testi përfundimtar për diagnozën e fibrilacionit atrial.
EKG përdor sensorë të rrumbullakët (elektroda) të vendosura në gjoks, krahë dhe këmbë. Telat lidhin sensorët me një makinë që mat rrymat elektrike në trupin tuaj. Rezultatet japin informacion rreth:
- të rrahurave dhe ritmit të zemrës,
- mënyrës si udhëtojnë sinjalet elektrike të zemrës,
- pjesëve të zemrës të cilat shkaktojnë kontraktime.
Për shkak se Afib mund të jetë i paqëndrueshëm, një EKG e vetme mund të mos e zbulojë problemin. Mjeku juaj mund të rekomandojë një monitor të veçantë të EKG-së për të regjistruar ritmin tuaj të zemrës për një kohë të gjatë. Shembujt përfshijnë:
Monitori Holter
Një monitor Holter është një EKG portative që e mbani vazhdimisht për 1 deri në 3 ditë. Impulset elektrike regjistrohen në mënyrë të vazhdueshme dhe ruhen në monitor. Pasi hiqet monitori, një teknik analizon në kompjuter të dhënat për të vlerësuar ritmin e zemrës.
Çfarë rrezikojnë pacientët e diagnostikuar me Fibrilacion Atrial?
Fibrilacioni Atrial rrit rrezikun për goditje në tru (insult cerebral), insuficiencë kardiake, që mund të çojnë deri në vdekje.
Kur u llogaritën faktorët standard të rrezikut për goditje në tru, FA-ja u shoqërua me një rrezik afërsisht pesëfish të rritur të goditjes ishemike.
Goditjet e shkaktuara nga komplikimet nga FA priren të jenë më të rënda se goditjet me shkaqe të tjera themelore. Goditjet ndodhin kur qarkullimi i gjakut në tru bllokohet nga një mpiksje gjaku ose nga depozitat yndyrore të quajtura pllaka të rreshtuara përgjatë enëve të gjakut.
- Tkurrja e shpejtë dhe e çrregullt e atriumeve, bën që gjaku të mos rrjedhë përmes tyre aq shpejt dhe si pasojë krijon vorbulla. Kjo rrit mundësinë për krijimin e gjakut të mpiksur. Nëse një copë gjaku e mpiksur pompohet jashtë zemrës, mund të shkojë në tru dhe të japë një infarkt të trurit, (Insult/Stroke), ose në zemër, veshka, zorrë duke sjellë dëmtime të tjera po aq serioze.
- Fibrilacioni atrial mund të ulë aftësinë pompuese të zemrës. Tkurrja e parregullt e zemrës e bën atë që të punojë pa efikasitet të plotë. Për më tepër, fibrilacioni atrial që zgjat për shumë kohë, mund të dobësojë muskulin e zemrës dhe të sjellë insuficiencë kardiake.
Si trajtohet Fibrilacioni Atrial?
- Hapi më i rëndësishëm në kontrollimin e FA-së është vlerësimi i rrezikut të një personi për goditje në tru. Për njerëzit me faktorë të rrezikut të shumëfishtë të goditjes në tru (për shembull, persona mbi 65 vjeç apo persona që vuajnë nga presioni i lartë i gjakut), rekomandohen medikamente antikoaguluese. Këto barna ndihmojnë në parandalimin e mpiksjes së gjakut për të ulur rrezikun e goditjes në tru.
- Hapi i dytë është të ngadalësoni rrahjet e zemrës së personit në 80 rrahje në minutë në gjendje qetësie, nëpërmjet medikamenteve.
- Hapi i tretë përfshin marrjen e vendimit për të kontrolluar ritmin e zemrës me ilaçe antiaritmike ose përmes një procedure mjekësore.
*Medikamentet që kontrollojnë ritmin e zemrës (medikamentet antiaritmik)
*Medikamentet që kontrollojnë shpejtësinë e rrahjeve të zemrës (frekuencën)
*Medikamentet Antikoagulant
- Për njerëzit që janë në FA gjatë gjithë kohës, kardioversioni (goditja elektrike) mund të rivendosë ritmin normal. Ilaçet ose heqja e kateterit më pas mund të ndihmojnë në ruajtjen e ritmit.
Nëse medikamentet nuk e kontrollojnë mjaftueshëm Fibrilacionin Atrial, për të parandaluar komplikimet, mjeku specialist mund të rekomandojë procedura mini-invazive për të trajtuar gjendjen:
- Ablacioni: Valët e radiofrekuencës, nxehtësia ekstreme ose të ftohtit ekstrem përdoren për të shkatërruar indin që shkakton FA-në.
- Një procedurë labirinti “MAZE”: Një kardiokirurg bën prerje në vende strategjike për të krijuar një “labirint” indi për të parandaluar kalimin e sinjaleve elektrike.
Fibrilacioni Atrial është një patologji që shumicën e rasteve diagnostikohet në departamentet e urgjencave në mbarë botën, edhe në kontrollet rutinë kur pacienti nuk referon simptoma. Eshtë shumë i rëndësishëm diagnostikimi i hershëm i aritmisë, në mënyrë që pacienti të ketë filluar një profilaksi ndaj faktorëve madhorë të riskut, si infarktet e trurit apo organeve të tjera, nëpërmjet terapisë me antikoagulantë. Shumica e pacientëve me Fibrilacion Atrial paroksizmal, rikthehen shpejt në ritmin normal sinusal, falë trajtimit në kohën e duhur.
Trajtimi në departamentin e urgjencës:
Trajtimi për fibrilacionin atrial varet nga sa kohë keni pasur FA, simptomat tuaja dhe shkaku themelor i problemit të rrahjeve të zemrës. Qëllimet e trajtimit janë:
- rregullimi i ritmit të zemrës,
- kontrollimi i ritmit të zemrës,
- parandalimi i mpiksjes së gjakut, që mund të çojë në goditje në tru.
Rezervo Vizitën
