Elektrofiziologjia është një procedurë, e cila përdoret për të identifikuar aktivitetin elektrik të zemrës që çon në aritmi të ndryshme.
Kjo procedurë diagnostikon aritminë, e cila më vonë mund të trajtohet nëpërmjet ablacionit. Përdoren dy kateterë që futen nëpërmjet venës femorale (rrëzë kofshës) për të arritur në dhomat e zemrës.
Ablacioni i zemrës është një intervenim mini-invaziv, përmes të cilit “digjen” vatrat, të cilat prodhojnë impulse të parregullta në zemër. Ablacioni i zemrës është një procedure, në të cilën një zonë e vogël e indit të zemrës shkatërrohet në mënyrë që të ndihmojë në korrigjimin e aritmisë. Procedura bëhet duke futur tuba të hollë dhe fleksibël të quajtur kateterë nëpër enët e gjakut dhe në zemër. Këto katetere mund të përdorin nxehtësinë ose të ftohtin për të shkatërruar indin e synuar, duke i lënë indet përreth të paprekura. Energjia e radiofrekuencës shpesh përdoret për të gjeneruar nxehtësi në mënyrë që të shkatërrojë indin e synuar.