DHEMBJET E BARKUT
DHEMBJET E BARKUT
Dhimbja e barkut mund të ketë shkaqe fizike, funksionale ose psikologjike.
Dhimbjet e barkut janë rezultat i një irritimi të qelizave nervore në sipërfaqe të organeve ose peritoneumit. Ato mund të shfaqen pa simptoma trupore të dukshme (në rastin e çrregullimeve funksionale).
Si manifestohet kjo simptomë?
Dhimbjet e barkut mund të manifestohen sipas rastit, në zona të ndryshme të barkut:
- në të gjithë barkun;
- në pjesën e sipërme të tij (mbi kërthizë);
- në pjesën e poshtme të barkut (nën kërthizë).
Ato mund të jenë të kufizuara në një vend, të përkohshme ose të vazhdueshme, ose me alternim fazash ndërmjet atyre pa dhimbje dhe atyre me dhimbje. Dhimbjet e barkut në zonën e stomakut mund të shfaqen kur stomaku është bosh, pas konsumimit të disa ushqimeve të veçanta, si dhe mund të shtohen pas ngrënies. Në varësi të shkakut, dhimbjet e barkut mund t’i përngjajnë dhimbjes së shkaktuar nga goditja me grusht; me ndjesi therrjeje, djegieje, shtypjeje konstante, ngërçi ose kolikë (dhimbje e fortë), që shfaqet papritur, përsëritet ose është e vazhdueshme. Intensiteti i dhimbjeve të barkut shtohen ose pakësohen sipas pozicionit të trupit ( këmbët e përkulura) ose lëvizjeve, dhe përhapen në pjesë të tjera të trupit (në shpinë, kafazin e kraharorit dhe pjesën e brendshme të kofshëve).
Shenjat shoqëruese të një sëmundjeje të rëndë janë:
- Ndryshimi i jashtëqitjes (diarre ose kapsllëk, me çrregullime dhe ndryshime të ngjyrës së feçeve);
- Të përziera dhe të vjella;
- Gjak në feçe ose në urine;
- Temperaturë e lartë;
- Mungesë e oreksit dhe/ose rënie në peshë;
- Ndryshime të ngjyrës të lëkurës apo të sklerave.
Intensiteti i dhimbjeve të barkut nuk lidhet gjithmonë me shkallën e rëndesës së sëmundjes; varet edhe nga ndjeshmëria e personit. Çrregullimet e vogla të tretjes, si fryrja e barkut nga gazrat, mund të shkaktojnë gjithashtu dhimbje të forta barku. Ndërkohë, sëmundje të rënda si kanceri i zorrës ose i pankreasit, mund të mos shkaktojnë për një kohë të gjatë dhimbje.
Te fëmijët, simptomat më të shpeshta janë dhimbjet e barkut, të vjellat, kapsllëku ose diarreja.