VENAT VARIKOZE (VARIÇET)

VENAT VARIKOZE (VARIÇET)

    Ҫfarë janë Variçet?

    Variçet (Venat Varikoze Primare) janë zgjerime të qëndrueshme dhe të përdredhura të venave sipërfaqësore të gjymtyrëve të poshtme, kryesisht të dy venave safeniene. Venat e ekstremiteteve të poshtme preken më shpesh nga ky problem. Kjo është për shkak të presionit të rritur gjatë qëndrimit dhe ecjes së zgjatur, kur valvulat venoze nuk funksionojnë siç duhet dhe gjaku nuk lëviz si normalisht. Zakonisht, është një problem estetik, por nëse procesi vazhdon të përparojë dhe ato fillojnë të krijojnë shqetësime, ënjtje, dhembje, ulçerë, atëherë nevojitet trajtim mjekësor.

    Cilat janë shkaqet kryesore për shfaqjen e tyre?

    Shkaqet kryesore për shfaqjen e variçeve janë:

    • trashëgimia
    • shtatzënitë
    • obeziteti
    • profesionet me qëndrime të zgjatura në këmbë ose ulur palëvizur
    • traumat e ndryshme
    • menopauza
    • mosha e madhe
    • dëmtimi i venave të baçinit nga shkaqe të ndryshme, etj.

    Këto shkaqe çojnë në dëmtimin e murit të venave safeniene dhe të valvulave të tyre, duke bërë që gjaku venoz të mos kthehet normalisht nga poshtë – lart kur njeriu është në pozicion në këmbë ose ulur me këmbët varur. Zgjerimi i këtyre venave vazhdon ngadalë, gradualisht e “në qetësi”, duke dëmtuar dhe duke zgjeruar degët e tyre, derisa krijohen paketat varikoze masive.

    Cilat janë ankesat më të shpeshta?

    Në varësi të stadit të zhvillimit dhe të ndjeshmërisë dhe kujdesit personal të pacientit, ankesat më të shpeshta janë:

    • ndjenjë rëndese dhe dhembje djegëse në pulpë, sidomos në fund të ditës së punës;
    • kruarje e lëkurës në zonat e paketavevarikoze;
    • ekzema;
    • mbingjyrosje dhe ngurtësim i lëkurës;
    • kapilarë në formë merimange;
    • këmbë gjithmonë të lodhura, shoqëruar me ngërce të muskujve.

    Te gratë, ankesat shtohen gjatë ditëve të ciklit.

    • Simptomat dhe shenjat:
    • venat me ngjyrë blu të errët/vjollcë
    • venat e rrudhura ose përdredhura, të fryra
    • rëndesë dhe dhembje të këmbëve
    • djegia, pulsimi, kruajtja, ngërçet muskulore dhe ënjtja
    • shtimi i dhembjes pas qëndrimit ulur për një kohë të gjatë ose qëndrimit të tepërt në këmbë
    • ndryshimi i ngjyrës së lëkurës rreth venës së prekur (hiperpigmentimi)

    Cilat janë ndërlikimet që hasen?

    Në faza shumë të avancuara ndodhin tri lloje ndërlikimesh të rrezikshme:

    • Tromboza e variçeve (tromboflebitisuperficial), që mund të shkaktojë trombozë në venat e thella dhe në mushkëri;
    • Ҫarja e lëkurës nga hollimi maksimal i saj, që shkakton hemorragji masive;
    • Ulçera që nuk mbyllen, sidomos përreth kyçit të këmbës, duke e kthyer pacientin në gjysëm-invalid.

    Që të evitojmë ndërlikime të tilla, duhet që të konsultoheni te mjeku i familjes dhe te mjeku specialist sapo të vini re shfaqjen e variçeve.

    Më pas, për një diagnozë të saktë, rekomandohet kryerja e një echo doppler të venave të këmbëve dhe konsultë për mënyrën e trajtimit me mjekun kirurg të enëve të gjakut (kirurgun vaskular).

    Diagnostikimi:

    • Ekzaminimi fizik – kontrolli i ekstremiteteve të poshtme pas disa minutash qëndrimi për të vërejtur ënjtje dhe njolla në sipërfaqen e lëkurës.
    • Ekzaminimit me ultratinguj – nuk është invaziv dhe kryhet në mënyrë të thjeshtë, për të vlerësuar funksionin e valvulave venoze, si dhe për të vlerësuar praninë e mundshme të trombeve.
    • Flebografisë – Ekzaminimi me rreze X me ndihmën e një kontrasti që lejon shfaqjen e gjendjes aktuale të venave, valvulave venoze, praninë e trombeve, defekteve venoze dhe shfaqjen e venave të thella.

    Si i trajtojmë variçet?

    Për trajtimin e tyre sot aplikohen katër metoda, të cilat trajtojnë në mënyra të ndryshme vetëm pjesën e venës kryesore nga rrëza e kofshës deri në gju.

    Metodat e trajtimit janë:

    • heqja me sondë (stripper) nëpërmjet një prerjeje 3-4 cm në rrëzë të kofshës
    • tharja e venës me shkumë
    • djegia e venës me rreze lazer
    • djegia e venës me radiofrekuencë.

    Paketat varikoze në kërci trajtohen njëlloj për çdo metodë, me heqje nëpërmjet prerjeve të vogla (flebektomi).

    Sa më e madhe të jetë vena kryesore, aq më shumë rekomandohet heqja me sondë.

    Parandalimi:

    • aktiviteti fizik
    • rregullimi i peshës
    • konsumimi i ushqimeve të pasura me fibra dhe me pak kripë
    • shmangia e këpucëve me taka të larta
    • shmangia e pantallonave të ngushta
    • ngritja e këmbëve mbi nivelin e zemrës
    • ndryshimi i shpeshtë i pozicionit
    • veshja e çorapeve të kompresimit, si hapi i parë në trajtim

    Rezervo Vizitën

    spitali gjerman vizite