URGJENCAT E ABDOMENIT AKUT

URGJENCAT E ABDOMENIT AKUT

    Abdomeni akut përkufizohet si dhimbje e fortë dhe e papritur e barkut, e lidhur me një sëmundje të rëndë.

    Në gjendjen e shokut kardio-vaskular mund të çojnë:

    • Dhimbjet e forta dhe të menjëhershme të barkut;
    • Barku i fortë (për shkak të kontraktimit të muskujve të barkut);
    • Të vjellat dhe dobësia e përgjithshme trupore.

    Abdomeni akut duhet konsideruar gjithmonë si një urgjencë që kërkon trajtim në kushte spitalore.

    Abdomeni akut përcaktohet si një gjendje e shoqëruar me dhimbje barku të forta, e cila kërkon konsultim kirurgjik. I referohet situatës klinike në të cilën ndodh një ndryshim akut në gjendjen e organeve intraabdominale, zakonisht i lidhur me inflamacionin ose infektimin. Është një nga simptomat më të hasura në pacientët që kërkojnë vëmendjen e Departamentit të Urgjencës, si dhe është ankesa më e zakonshme e pacientëve që iu duhet t’i nënshtrohen ndërhyrjeve kirurgjikale në zonën e barkut. Abdomeni akut kërkon diagnozë të menjëhershme dhe të saktë. Një ekzaminim fizik i kujdesshëm, i shoqëruar me metoda diagnostifikuese si radiografia, eko abdominale, CT apo MRI, kryhet në varësi të shenjave klinike dhe mjeteve që kemi në dispozicion për diagnozë. Shpesh diagnoza dhe zbulimi i një gjendjeje patologjike bëhet në mënyrë operative.  

    E rëndësishme!

    Kur keni dhimbje barku nuk duhet të përdorni medikamente kundër dhimbjes, nuk duhet të hani dhe nuk duhet të pini. Mund të merret në konsideratë një terapi specifike, vetëm pasi të jetë përcaktuar shkaku i dhimbjes.

    Simptomat shoqëruese: fryrja e barkut, ndjesi e shtrëngimit (ngërç) në bark dhe në stomak, diarre, kapsllëk, të përziera, të vjella, temperaturë, mungesë oreksi, rënie në peshë, etj.

    Cilat janë sëmundjet që shkaktojnë këtë simptomë?

    Dhimbjet e barkut mund ta kenë origjinën nga një prej disa organeve të tij. Në shpeshtësi, ato janë të lehta. Edhe stresi mund të jetë faktor i këtyre dhimbjeve. Po ashtu, një sistem nervor i ndjeshëm, sindroma e zorrës së irritueshme ose një çrregullim në tretje, mund të shkaktojë dhimbje barku.

    Megjithatë, origjina e dhimbjes së barkut mund të jetë edhe jashtë tij. Kjo vlen për rastet kur dhimbjet e barkut përhapen drejt veshkave dhe rrugëve urinare, mushkërive, zemrës ose sistemit riprodhues mashkullor ose femëror.

    Fëmijët ankohen shpesh për dhimbje barku. Në rastet më të shumta, bëhet fjalë për fryrje joserioze të barkut. Gjithashtu, duhet patur parasysh fakti se kur fëmijët kanë një dhimbje tjetër, (psh. dhimbje veshi), shpesh ata tregojnë barkun e tyre sepse nuk dinë ta përcaktojnë saktësisht dhimbjen. Te fëmijët më të rritur, dhimbje barku mund të shkaktojë edhe stresi i shkollës.

    Çrregullimet dhe sëmundjet e mëposhtme mund të shoqërohen me dhimbje barku (sipas rendit alfabetik):

    • Aneurizma e aortës;
    • Apendiciti;
    • Bllokimi i zorrës, Ileusi, Invaginimi tek fëmijët e vegjël;
    • Cirroza e mëlçisë;
    • Çrregullimet e tretjes të shkaktuara nga Salmonela dhe salmoneloza;
    • Divertikuli i zorrës, Divertikuloza, Divertikuliti;
    • Endometrioza;
    • Gurët e fshikëzës së urinës;
    • Gurët në veshka, Nefrolitiaza;
    • Helmimet;
    • Hemokromatoza;
    • Hepatiti;
    • Hernia inguinale;
    • Infarkti i miokardit;
    • Infeksionet e rrugëve urinare, inflamacioni urogjenital;
    • Infeksioni gastrointestinal;
    • Infeksioni nga Helikobakter Pilori;
    • Infeksioni nga noroviruset, të vjellat dhe diarreja e shkaktuar nga noroviruset;
    • Inflamacioni i fshikëzës së tëmthit, Kolecistiti;
    • Inflamacioni i vezoreve;
    • Intoleranca ose alergjia ushqimore;
    • Kanceri i pankreasit;
    • Kanceri i stomakut;
    • Kanceri i zorrës (kanceri i zorrës së trashë dhe rektumit), kanceri kolorektal;
    • Kequshqyerja (ushqim i rëndë, me shumë yndyrë);
    • Kolelitiaza;
    • Kolika e foshnjeve;
    • Koliti ulçeroz, inflamacioni i zorrës së trashë;
    • Menstruacionet;
    • Pankreatiti;
    • Peritoniti;
    • Sëmundja Kron (Crohn)
    • Shtatzënia jashtë mitre;
    • Steatoza, Steatoza hepatike;
    • Tifo, Paratifo;
    • Tumoret gastrointestinale;
    • Ulçera e stomakut;
    • Zorra e irritueshme.

    Kur duhet të konsultoheni me mjekun?

    Në rastin e dhimbjeve të lehta të barkut, nuk është e nevojshme të konsultoheni me mjekun, edhe nëse keni diarre dhe të vjella. Nëse dhimbjet rëndohen ose nuk kalojnë për disa ditë, duhet të konsultoheni patjetër me mjekun. Kur dhimbjet janë të menjëhershme dhe tepër të forta, ose kur ato përkeqësohen me shpejtësi, është e detyrueshme të konsultoheni me mjekun. Një bark i fortë me dhimbje të forta, konsiderohet si urgjencë mjekësore kërcënuese për jetën.

    Mjeku i urgjencës duhet të kontaktohet menjëherë kur:

    • Shfaqen probleme të tjera, si temperaturë e lartë, vështirësi në frymëshkëmbim, të vjella të forta, diarre, ose dhimbje në zonën e zemrës.
    • Gjendja e përgjithshme është përkeqësuar;
    • Dhimbja e barkut shfaqet pas një goditjeje (rrëzim, aksident, gjuajtje);
    • Ka mungesë të defekimit dhe nxjerrjes së gazrave për disa ditë;
    • Shfaqen të vjella me gjakas;
    • Konstatohet gjak në urinë ose në feçe;
    • Dhimbjet shfaqen gjatë një shtatzënie;
    • Dhimbjet e barkut janë të përsëritura.

    E rëndësishme!

    Në rastin e dhimbjeve akute të barkut, me origjinë të paqartë, nuk këshillohet përdorimi i medikamenteve kundër dhimbjes, sepse kjo mund të vështirësojë vlerësimin e gjendjes nga mjeku. Gjithashtu, nuk këshillohet ngrënia e ushqimit dhe as pirja e lëngjeve.

    Ekzaminimet mjekësore

    Për të patur një tablo sa më të qartë të problemeve aktuale dhe shkaqeve të mundshme të tyre, fillimisht mjeku njihet me historinë mjekësore personale (anamneza) dhe kryen ekzaminimin klinik me mjete të thjeshta (inspeksion, analiza, palpacion, auskultacion, teste funksionale, etj.). Pas këtyre procedurave, mjeku mund të rekomandojë analiza të tjera më specifike.

    Marrja e anamnezës konsiston tek:

    Pyetjet që lidhen me dhimbjet e barkut: kur kanë filluar, ku lokalizohen saktësisht, çfarë natyre kanë (therje, shtrëngim në thellësi apo sipërfaqe), me fillim të papritur ose gradual, nëse përhapen në zona të tjera të trupit (në shpinë, karaharor, kofshë), të shpeshta apo të rralla, të varura nga frymëshkëmbimi ose ngrënia e ushqimit ( para apo pas ushqimit), të lidhura me stresin, me ciklin menstrual, nëse shkaktohen nga ndonjë ushqim i caktuar, në rast se shoqërohen ose jo me ndryshim të oreksit, me rënie në peshë, etj.

    Pyetjet e lidhura me urinimin dhe defekimin:

    • Informimi mbi simptomat shoqëruese;
    • Informimi mbi zakonet ushqimore dhe pijet që konsumon pacienti;
    • Informimi mbi sëmundjet shoqëruese, probleme të mëparshme mjekësore, përfshirë edhe operacionet dhe aksidentet.

    Pyetjet lidhur me mundësinë e përdorimit të medikamenteve të ndryshme;

    • Informimi mbi alergji dhe intoleranca të ndryshme ushqimore;
    • Informimi mbi kushtet e jetesës, situatën sociale dhe atë profesionale;
    • Ekzaminimi klinik.

    Ky ekzaminim i shërben mjekut për të përcaktuar shkaqet që mund të jenë në origjinën e dhimbjeve të barkut. Gjatë tij, mjeku mund të dëgjojë zhurmat e zorrëve dhe mund të konstatojë çrregullime gjatë palpimit të barkut.

    Gjithashtu, mjeku kontrollon nëse barku është i butë ose i fortë, se ku është dhimbja më e fortë gjatë shtypjes me dorë, dhe nëse ka shenja specifike si lëshim dhe mbrojtje muskulare, të cilat sugjerojnë diagnozën e apendicitit. Mund të konstatohet dhimbje në fund të barkut djathtas vetëm gjatë shtypjes së fortë me dorë në këtë zonë. Ky test është specifik për anën e djathtë por mund të jetë i vlefshëm edhe për anën e majtë.

    Nëpërmjet palpimit, te femrat duhet të ekzaminohet vagina, mitra dhe vezoret. Ndërsa me tushe rektale, te meshkujt duhet të vlerësohet rektumi dhe prostata.

    Ekzaminime të tjera specifike diagnostikuese janë:

    • Analizat e gjakut, bilanc biokimik;
    • Analizat e urinës dhe feçes;
    • Ekzaminimi me eko abdominale;
    • Radiografia direkte abdomene në këmbë;
    • Skaneri (CT), Rezonanca magnetike (MRI)
    • Gastroskopia
    • Kolonoskopia
    • Elektrokardiografia (EKG)
    • Testi i intolerancës ushqimore (psh. testi i tolerancës ndaj laktozës)
    • Testi i shtatzënisë
    • Ekzaminimi gjinekologjik
    • Ekzaminimi urologjik

    Trajtimi mjekësor

    • Trajtimi i dhimbjeve të barkut varet gjithmonë nga shkaku i tyre.
    • Dhimbjet e barkut të lidhura me ushqimin dhe stresin, zhduken shpesh pas një ndryshimi ose përmirësimi të higjienës së përgjithshme të ushqyerjes, jetesës, etj.
    • Antibiotikët përdoren në rastet e infeksioneve bakteriale.
    • Frenuesit e aciditetit të stomakut (antiacidet, frenuesit e pompës protonike) përdoren në rastin e çrregullimeve të tretjes, refluksit, gastriteve, etj.
    • Medikamentet që nxisin peristaltikën e zorrëve përdoren psh. në rastin e irritimit të stomakut.
    • Medikamentet kortikosteroide përdoren në rastet e sëmundjeve inflamatore të zorrës.
    • Ndërhyrje kirurgjikale urgjente kryhet në rastin e apendicitit akut, peritonitit ,gurëve në tëmth ose bllokimit të zorrës.
    • Ndërhyrje kirurgjikale, kimioterapiose radioterapi kryhet në rastin e një kanceri.
    • Në përgjithësi, këshillohet respektimi i një regjimi ushqimor të posaçëm për lehtësimin e funksionit të sistemit gastrointestinal. Me raste mund të përdoret edhe ushqyerja nazogastrike ose me rrugë intravenoze.

    Gjithashtu, duhet të trajtohen edhe simptomat shoqëruese të dhimbjeve të barkut, si:

    • Të përzierat dhe të vjellat, me medikamente antiemetike;
    • Kapsllëku, me medikamente laksative;
    • Fryrja e barkut nga gazrat e tepërta, me medikamente specifike për eliminimin e tyre.

    Rezervo Vizitën

    spitali gjerman vizite