STENOZA E ARTERIES KAROTIDE
STENOZA E ARTERIES KAROTIDE
Arteriet karotide janë dy arteriet kryesore që furnizojnë trurin me gjak. Ato ndodhen në dy anët e qafës. Stenoza e arteries karotide është ngushtimi i kësaj arterie nga pllakat aterosklerotike.
Pse dhe si shkaktohet stenoza e arteries karotide?
Si të gjitha arteriet e trupit, edhe arteriet karotide mund të preken nga ateroskleroza.
Faktorët kryesorë që nxisin zhvillimin e aterosklerozës janë:
- hipertensioni arterial
- niveli i lartë i kolesterolit në gjak (hiperkolesterolemia)
- pirja e duhanit
- sëmundja e Diabetit
- stili sedentar i jetesës
- alkooli
- përdorimi oral i kontraceptivëve.
Ateroskleroza karakterizohet nga grumbullimi i yndyrnave në muret e arterieve. Këto grumbullime nxisin disa procese, të cilat çojnë gradualisht në formimin e pllakave aterosklerotike në brendësi të arteries. Këto pllaka ngushtojnë vetë arterien (stenoza e arteries) dhe bëhen pengesë për kalimin e gjakut në to.
Arteriet që preken më shpesh nga ateroskleroza janë:
- arteriet koronare (arteriet që furnizojnë zemrën)
- arteriet karotide
- arteriet e gjymtyrëve të poshtme
Cilat janë pasojat e stenozës?
Zhvillimi i pllakave aterosklerotike në arteriet karotide mund të shkaktojë komplikime. Rritja e vazhdueshme e pllakave shkakton ngushtimin gjithnjë e më të madh të arteries deri mbylljen e saj nga tromboza dhe ndërprerjen e menjëherëshme të kalimit të gjakut drejt trurit. Një tjetër komplikim është edhe çarja e pllakës. Në momentin e çarjes, përmbajtja yndyrore e saj rrëmbehet nga rrjedha e gjakut dhe shkon drejt trurit duke mbyllur degë të arteries që e furnizojnë. Ky problem njihet si insulti cerebral dhe shfaqet me paralizë të një pjese të trupit. Kur bllokohet qarkullimi i gjakut në arterien karotide të djathtë, vuan gjysma e djathtë e trurit e cila komandon gjysmën e majtë të trupit, pra, paraliza shfaqet majtas. E kundërta ndodh kur bllokohet qarkullimi në arterien e majtë. Paraliza mund të prekë vetëm krahun, mund të shoqërohet me vështirësi në të folur (afazi) ose mund të përfshijë gjysmën e trupit. Në format më të rënda sëmundja është kërcënuese për jetën.
Si ta zbulojmë nëse kemi stenoze të arteries karotide?
Një simptomë karakteristike e stenozës karotide është sulmi ishemik kalimtar (që zgjat më pak se 24 orë) i cili ndodh në tru duke shkaktuar simptoma që lidhen me pjesën e trurit të prekur nga pamjaftueshmëria ishemike (mungesa e gjakut). Simptomat që lidhen me TIA-n konsistojnë në humbjen e kontrollit të gjymtyrëve (përgjithësisht në anën e kundërt me atë të arteries karotide të mbyllur, sepse hemisferat cerebrale kontrollojnë respektivisht pjesën e kundërt të trupit).
Diagnoza
Dyshimi për stenozë karotide mund të tregohet gjatë ekzaminimit nga mjeku, i cili me stetoskop zbulon një zhurmë karotide. Diagnoza vendoset me një Doppler me ngjyra me ultratinguj të trungjeve supra-aortike (TSA). Ekokolordoppleri i trungjeve supra-aortike është i ngjashëm me ekografinë e qafës dhe nëse kryhet nga personeli ekspert është i mjaftueshëm për të vendosur një diagnozë të caktuar dhe për të treguar trajtimin më të përshtatshëm.Ky është një ekzaminim shumë i thjeshtë, pa dhembje dhe pa pasoja për pacientin. Gjatë ekzaminimit vlerësohet prania e grumbullimeve yndyrore në muret e arterieve, prania e pllakave dhe shkalla e stenozës si dhe vlerësohet qarkullimi i gjakut drejt trurit.
Kush duhet të ekzaminohet?
- individët që kanë hipertension arterial, që kanë kolesterol të lartë si dhe diabetikët;
- pacientët me sëmundje të arterieve koronare;
- pacientët që kanë pësuar atake ishemike cerebrale tranzitore (TIA);
- të gjithë njerëzit pas moshës 60 vjeç.
Në rastet kur zbulohet prania e stenozës, ekzaminimi përsëritet në mënyrë periodike për të vlerësuar përparimin e sëmundjes.
Si mund të parandalojmë zhvillimin e stenozës së arteries karotide?
Mënyra më e mirë për parandalimin e arterosklerozës dhe stenozës së arterieve karotide është:
- ndalimi i pirjes së duhanit;
- mjekimi i rregullt i tensionit arterial dhe diabetit;
- marrja e medikamenteve që ulin nivelin e kolesterolit;
- marrja e medikamenteve që pengojnë formimin e trombeve, si Aspirina apo Clopidogreli.
Në çdo rast, mjekimi duhet të përshkruhet vetëm nga mjeku specialist. Këto janë edhe masat trajtuese në rastet kur stenoza është zhvilluar por nuk ka ende arsye (indikacion) për riparim.
Si dhe kur trajtohet stenoza e arteries karotide?
Ekzistojnë dy mënyra për riparimin e stenozës së arteries karotide:
- metoda kirurgjikale – për heqjen e obstruksionit, trajtimi kirurgjikal konsiston në endarterektominë (prerjen e arteries për të hequr pllakën dhe qepjen e enës me ndihmën e indit sintetik ose venoz)
- metoda endovaskulare – kjo metodë është shumë e përshtatshme për ata pacientë që kanë rrezik të lartë për t’iu nënshtruar operacionit
Angioplastika me stent karotid: është një metodë mini-invazive jo kirurgjikale tepër komode për pacientin, ku një kateter futet nga arteria femorale për të shkuar deri në arterien karotide duke vendosur një stent për të rikthyer kalimin normal të fluksit të gjakut në arterien karotide.
Të dyja teknikat e riparimit kanë risk të ulët për komplikime.
Vendimi për riparimin e arteries karotide bazohet në dy elemente:
në shkallën e ngushtimit të arteries
nëse sëmundja ka dhënë shenja
- Për pacientët te të cilët sëmundja nuk ka dhënë asnjë shenjë dhe është zbuluar gjatë ekzaminimit, riparimi rekomandohet kur shkalla e ngushticës (stenozës) është mbi 70%. Për pacientët pa shenja dhe për ata mbi 75 vjeç, rekomandohet kontrolli periodik dhe trajtimi parandalues me masat që përmendëm më lart.
- Te pacientët që kanë pësuar insult dhe janë përmirësuar dhe te pacientët që kanë pësuar atake tranzitore (TIA) ndërhyrja rekomandohet edhe në grada më të ulëta të stenozës.