RADIOGRAFIA
RADIOGRAFIA
Radiografia është ai modalitet imazherik me anë të të cilit merren imazhe të strukturave të trupit duke përdorur rrezet X. Rrezet X janë një formë rrezatimi, e ngjashme me dritën, valët radio dhe mikrovalët, por rrezatimi X është i veçantë, sepse ka një sasi shumë të lartë energjie, çka i lejon rrezeve të penetrojnë përmes strukturave anatomike dhe të krijojnë imazhin radiografik. Imazhi krijohet si pasojë e absorbimit të rrezeve X nga këto struktura anatomike.
Strukturat dense, si kockat, absorbojnë një sasi të madhe rrezatimi (duke u shfaqur si gri e lehtë në imazhe), ndërkohë që strukturat me densitet të ulët, si indet e buta, absorbojnë sasi më të paktë rrezatimi X (duke u shfaqur si gri e errët në imazh). Trupi ka struktura me densitete të ndryshme dhe pikërisht kjo diferencë jep imazhin.
Çfarë përgatitjeje duhet të bëhet për të bërë një radiografi?
Për radiografinë e thjeshtë nuk ka instruksione specifike parapërgatitjeje, por janë disa gjëra që pacienti duhet t’i dijë përpara se të drejtohet për kryerjen e një radiografie:
- Sigurohuni që të paraqiteni në departamentin e imazherisë diagnostike me një rekomandim në lidhje me radiografinë që kërkohet nga mjeku referues.
- Informoni doktorin tuaj dhe teknikun radiolog i cili kryen ekzaminimin në qoftë se ekziston ndonjë mundësi që ju të jeni shtatzënë (për pacientet femra). Ky është informacion shumë i rëndësishëm. Siguria e fetusit është prioriteti numër një. Rrezatimi X mund të shkaktojë anomali të fetusit.
- Përgatituni të zhvisheni dhe të vishni një përparëse spitalore. Veshjet e ndryshme përmbajnë objekte metalike si kopsa, zinxhirë duke interferuar ne kualitetin e imazhit. Heqja e tyre siguron kualitetin maksimal të imazhit.
Çfarë ndodh gjatë kryerjes së radiografisë?
Tekniku radiolog ju thërret emrin dhe ju shoqëron në dhomën e ekzaminimit.
Ata ju shpjegojnë procedurën dhe ju parapërgatisin në varësi të pjesës së trupit që do të ekzaminohet. Kjo përfshin:
- pozicionin tuaj (p.sh. ulur ose në kembë),
- numrin e ekspozimeve,
- kohëzgjatjen e ekzaminimit.
Është shumë e rëndësishme që të qëndroni pa lëvizur kur tekniku radiolog ju instrukton, sepse lëvizjet mund të shkaktojnë mjegullim të imazhit.
Pas kryerjes së ekspozimit, teknikut radiolog do t’i duhen edhe disa minuta për të kontrolluar dhe procesuar çdo radiografi.
Ndonjëherë nevojiten projeksione radiologjike shtesë për të marrë më shumë informacion, çka do të ndihmojë mjekun radiolog për të vendosur një diagnozë të saktë. Ky nuk është një problem për te cilin duhet të shqetësoheni, sepse në qoftë se ndodh është diçka e zakonshme. Projeksionet shtesë kryhen për të marrë një pamje më të qartë të strukturës anatomike në studim dhe jo sepse ka një problem me domosdoshmëri.
Në momentin që procedura mbaron, tekniku radiolog ju informon se kur do të merrni rezultatin. Radiografinë e vlerëson specilisti, mjeku radiolog, i cili vendos një diagnozë dhe shkruan një raport në lidhje me radiografinë. Raporti më pas i dërgohet mjekut referues ose specialistit që e kërkoi ekzaminimin për ndjekje të mëtejshme.
Sa zgjat procedura e kryerjes së radiografisë?
Zakonisht zgjat më pak se 15 minuta, por sigurisht që kjo varet nga pjesët e trupit që do të ekzaminohen, nga aftësia juaj për të levizur si dhe kushtet e shëndetit tuaj. Në shumicen e rasteve kryhet radiografi në dy projeksione ose më shumë, pra merret imazh i strukturës në disa drejtime për të marrë informacionin e nevojshëm diagnostik, kjo kërkon që ju të lëvizni në pozicione të ndryshme. P.sh. për një radiografi pulmoni në një pacient në gjendje të mire, duhet më pak se një minutë. Gjithsesi në pacientët në gjendje jo shumë të mirë si dhe te fëmijët që e kanë të vështirë të qëndrojnë dhe të bashkëpunojnë sipas instruksioneve të dhëna nga tekniku radiolog, ekzaminimi mund të zgjasë më shumë.
Cilat jane rreziqet e kryerjes së një radiografie?
Në përgjithësi, përfitimet e kryerjes së radiografisë janë më të rëndësishme sesa rreziku, i cili është minimal. Me dozat e rrezatimit që përdoren në radiografinë e thjeshtë nuk ka evidenca për efekte shëndetësore. Ekzistojnë dy rreziqe madhore që ndodhin si pasojë e rrezatimit jonizues, që janë:
- kanceri disa vite pas ekspozimit nga rrezatimi,
- problemet shëndetësore te fëmijët e lindur nga personat që janë ekspozuar nga rrezatimi, si pasojë e dëmtimit të qelizave riprodhuese.
Studimet mjekësore nuk kanë arritur që të japin një konkluzion në qoftë se ka ose jo efekte sinjifikative në pacientët e ekspozuar ndaj rrezatimit jonizues në dozat që përdoren në imazherinë diagnostike. Doza e rrezatimit që merret në një radiografi të thjeshtë është shumë herë më e vogël sesa ajo që merret në procedurat e tjera radiologjike si tomografia e kompjuterizuar CT dhe andiografia.
Një pacient duhet të bëjë përkatësisht 38 radiografi pulmoni për të marrë sasinë e rrezatimit që mund të marrë normalisht në një vit nga rrezatimi në mjedis (sipas ARPANSA 2008). Kjo është inkurajuese dhe suporton përdorimin e dozave të ulëta të rrezatimit në radiografinë diagnostikuese.
Cilat janë benefitet e kryerjes së një radiografie?
Radiografia është e rëndësishme në diagnostikimin e sëmundjeve, të tilla si: pneumonia, frakturat kockore, infeksionet kockore, artriti, kanceri, kolapsi pulmonar etj.
Radiografia është e shpejtë dhe e thjeshtë, kështu që vjen në ndihmë veçanërisht në diagnozat emergjente për trajtim.
Radiografia është relativisht me kosto jo shumë të lartë duke qenë konvieniente për pacientët.
Informacione të mëtejshme mbi radiografinë:
Radiografia është e sigurt kur kryhet në një mjedis të kontrolluar, si departamenti i imazherisë diagnostike. Pajisjet kontrollohen rregullisht për të siguruar që ato funksionojnë ashtu siç duhet dhe nuk japin sasi më të madhe rrezatimi për pacientët dhe për stafin. Personat që operojnë me këto pajisje, teknikët radiologë, janë të licensuar dhe të kualifikuar për të operuar me pajisjet e rrezatimit.
Rezervo Vizitën
