Prof. Asc. Ilirjana Bakalli
Mjeke Pediatre
Prof. Asc. Ilirjana Bakalli është diplomuar në degën Mjekësi e Përgjithshme dhe më pas ka kryer specializimin për Pediatri, pranë Fakultetit të Mjekësisë, në Universitetin e Tiranës.
Prof. Asc. Ilirjana Bakalli ka një eksperiencë 22 vjeçare si mjeke pediatre në Shërbimin e Terapisë Intensive Pediatrike, Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, duke diagnostikuar dhe trajtuar problematikat e ndryshme të fëmijëve, që kanë nevojë për një kujdes mjaft të specializuar. Gjatë gjithë këtyre viteve shërbim ajo ka spikatur për profesionalizmin dhe përkushtimin në trajtimin e fëmijëve që paraqiten në gjendje mjaft kritike për jetën në këtë shërbim.
Me një eksperiencë 15 vjeçare si lektore, Prof. Asc. Ilirjana Bakalli është gjithashtu pedagoge me kohë të plotë pranë Fakultetit të Mjekësisë, në Universitetin Mjekësisë, Tiranë.
Eksperienca e saj klinike ndërthuret me një aktivitet mjaft të gjerë shkencor dhe një kërkesë të vazhdueshme për aplikimin e metodave të reja dhe protokolleve të fundit për trajtimin e fëmijëve.
Është autore e disa prej “Udhërrëfyesve Kombëtar të Praktikës Mjekësore dhe Protokolleve Klinike Pediatrike”, si dhe bashkautore në tekstin universitar “Terapia Intensive në Pediatri”.
Është autore e një sërë publikimeve dhe prezantimesh (me më shumë se 40 botime në revista shkencore brenda dhe jashtë vendit, si dhe më shumë se 120 prezantime në Kongrese dhe Konferenca Kombëtare dhe Ndërkombëtare).
Që nga janari 2012, Prof. Asc. Ilirjana Bakalli është Asistent-Editore pranë revistës “Central European Journal of Pediatrics”. Njëkohësisht jep në mënyrë të vazhdueshme kontributin e saj si Reviewer në disa revista europiane (Intensive Care Medicine, Italian Journal of Pediatrics, Clinical Pediatrics, BMC Pediatrics, etj).