MR - MAGNETOM AVANTO 1.5 TESLA
MR - MAGNETOM AVANTO 1.5 TESLA
Në vitin 1882 Nikola Tesla zbuloi fushën magnetike, zbulim që u pasua nga shumë të tjerë të mëvonshëm. Në vitin 1973, në Universitetin Kolumbia, Professor Isidor I. Rabi vuri re se bërthama e atomit kur ekspozohet ndaj një fushe elektromagnetike të fuqishme, absorbon ose emeton radiovalë; zbulim për të cilin ai mori edhe çmimin Nobel.
Fizikanti Raimond Damandian vuri re se sinjali i hidrogjenit në qeliza kancerogjene është i ndryshëm nga sinjali i hidrogjenit në qeliza normale, sepse tumoret përmbajnë më tepër H2O.
Në vitin 1973, Paul Lauterbur në Universitetin e New York-ut, prodhoi imazhin e parë me anë të MRI-së. Më 3 Korrik 1977 është bërë MRI-ja e parë me pacient.
Parimi:
Rezonanca Magnetike (MRI) përdor fushën elektomagnetike dhe radiofrekuencat për të marre imazhe në prerje tërthore në plane të ndryshme (transversal, koronar dhe sagital) të pjesëve të ndryshme të trupit të njeriut. Gjithashtu, mund të merren edhe imazhet 3D, të cilat përpunohen dhe mund të shihen në kënde të ndryshme. Kjo arrihet duke shfrytëzuar atomet e hidrogjenit (kemi parasysh se trupi i njeriut përbëhet nga afërsisht 70% H2O). Rezonanca magnetike është një metodë shumë e besueshme dhe e kujdesshme, një ekzaminim plotësisht pa dhembje. Nuk është një ekzminim i dëmshëm, duke pasur parasysh që ndryshe nga metodat e tjera imazherike, të cilat për të marrë imazhin përdorin rreze X, MRI-ja përdor valë elektromagnetike. MRI-ja është një makinë e madhe ku magneti është në formë tubi (figura e mësipërme) dhe pjesa e trupit që do të studiohet, vendoset në qendër të fushës.
Çfarë duhet të dijë pacienti para se të bëjë rezonancën magnetike?
- Para ekzaminimit, ju duhet të largoni çdo gjë, si: bizhuteri, piercing, syze, proteza dentare, aparate dëgjimi, kapëse flokësh etj.
- Ju duhet të zhvisheni, pasi do të merrni veshje spitalore të cilat do t’ju kërkohet t’i vishni.
- Jeni të lutur t’i tregoni tekinikut radiolog përpara ekzaminimit, nëse vuani nga klaustrofobia.
- Ekzaminimi zgjat nga disa minuta deri në një orë në varësi të organit që po ekzaminohet.
- Do të ketë kontakt viziv të vazhdueshëm me ju gjatë ekzaminimit. Me ndihmën e pompës së emergjencës ju mund të thërrisni stafin mjekësor.
- Gjatë ekzaminimit dëgjohen tinguj të fortë, ndaj ju do pajiseni me kufje ku do të luhet edhe muzikë për të eleminuar sadopak zhurmën.
- Në ekzaminime të ndryshme, stafi mjekësor do t’ju japë instruksione gjatë ekzaminimit, nëse duhet që në momente të caktuara të ndiqni komandat e frymëmarrjes me përpikëri.
- Tavolina e ekzaminimit mund të lëvizë gjatë procedurës ekzaminuese.
- Evitoni lëvizjet e trupit, sepse ndërhyjnë në cilësinë e imazhit duke shkaktuar artefakte.
- E rëndësishme: Mos kryqëzoni krahët apo këmbët!
- Duhet të ndiqen instruksionet e stafit mjekësor në mënyrë të përpiktë.
MRI-ja është një ekzaminim joinvaziv dhe siç u përmend edhe më lart, bëhet për të studiuar gjithë trupin.
- MRI-ja e trurit dhe kolonës vertebrale, ku mund të vlerësohen:
- pjesa cerebrale, duke përfshirë patologji të ndryshme (si ishemitë, lezionet demienilizuese, tumoret intra- ose ekstra-aksiale të trurit etj.) dhe problemet vaskulare (si aneurizmat e arterieve);
- patologjitë e hipofizë;
- patologjitë e veshit të mesëm;
- patologjitë e orbitave (syve);
- herniet diskale;
- dëmtimet e kordës spinale;
- frakturat e vertebrave;
- lezionet kockore të vertebrave etj.
- MRI-ja e qafës (për indet e buta)
- MRI-ja kardiake dhe MR Angiografi, ku mund të vlerësohet:
- funksioni kardiak;
- trashja dhe lëvizja e pareteve të muskulit të zemrës;
- madhësia e atriumeve dhe e ventrikujve;
- madhësia e aortës (dilatacioni, aneurizma, disekime)
- bllokimi dhe stenozat e vazave të të gjithë trupit etj.
- MRI-ja për toraksin dhe për mediastinin.
- MRI-ja e abdomenit dhe e pelvisit, ku vlerësohen:
- hepari (mëlçia);
- lieni (shpretka);
- pankreasi;
- kolecista dhe duktuset biliare intra dhe ekstra-heptike (MRCP);
- renet (veshkat);
- prostata ose uterusi dhe vezoret;
- MRI-ja e sistemit muskulo-skeletik, ku studiohen artikulacionet dhe kockat për të vlerësuar dëmtimet nga traumat e ndryshme, problemet me artikulacionet, lezionet kockore, tumoret e ndryshme kockore dhe ato të indeve të buta:
- skapulo-humeral;
- cubiti (i brrylit);
- radiokarpal;
- MRI-ja dorës;
- kokso-femoral;
- i gjurit;
- talo-krural;
- MRI-ja e këmbës;
- MRI-ja e humerusit;
- MRI-ja e parakrahut;
- MRI-ja e femurit;
- MRI-ja os cruris (tibia dhe fibula).
- MRI-ja e fetusit
- MRI-ja për moshat pediatrike (edhe nën përdorimin e anestezisë)
Kundraindikimet:
Krahas gjithë oportuniteteve që ka Rezonanca Magnetike, ku mund të përmendim mungesën e rrezatimit jonizuez, cilësinë e lartë të imazheve, marrjen e imazheve në plane të ndryshme etj, si çdo metodë tjetër, edhe MRI-ja ka kundraindikime, të cilat lidhen kryesisht me pjesët metalike të ndodhura në trupin e pacientit, ku përmendim:
- Pacientët që janë portator të Pace Maker nuk mund të futen në MRI!
- Pacientët që kanë proteza metalike nuk mund të futen në MRI.
- Pacientët që kanë trupa të huaj metalik në trup nuk mund të futen në MRI.
- Pacientët që kanë implante (defibrilator, valvula kardiake, aparate dëgjimi, klip aneurizme, pompë insuline, pompë dhembjeje, proteza artikulare) nuk mund të futen në MRI.
- Pacientët gjatë tremujorit të parë të shtatzënisë.
Vetëm pacientët që janë protator Pace Maker nuk mund të futen në MRI, kurse përsa iu përket pikave të tjera, nëse pacienti mund të futet në MRI, do të vlerësohet nga stafi mjekësor, pasi shumë prej pajisjeve që përdoren në procedurat e mësipërme, në vitet e fundit, përbëhen nga materiale që përputhen me kushtet e MRI-së.
Në lidhje me lëndët e kontrastit:
Në varësi të ekzaminimit, mund të jetë e nevojshme që t’ju injektohet një lëndë kontrasti në rrugë intra-venoze. Lënda e kontrastit që përdoret është me bazë Godolinium (jo-jonike). Kjo përmirëson vlerësimin e mëtejshëm të disa organeve dhe disa strukturave anatomike, si dhe të disa sëmundjeve specifike. Studimet shkencore kanë treguar se në 99% të pacientëve nuk ka pasur efekte anësore pas injektimit të kontrastit. Si në çdo ndërhyrje mjekësore, komplikacionet e rrezikshme për jetën janë të mundshme, por ekstremisht të rralla (1:10.000), ndaj rreziku i këtij ekzaminimi, krahasuar me përfitimin e arritur, është shumë i vogël.
Për të vlerësuar rastet në të cilat rreziqet janë më të larta, është e rëndësishme të dihet funksioni i veshkave, përpara se të injektohet një lëndë kontraste. Nëse ndodhin efekte anësore, është menjëherë e disponueshme asistenca mjekësore.
Efektet anësore dhe komplikimet e lëndëve kontraste:
- hematoma në vendin e injektimit dhe shumë rrallë infeksion lokal;
- në rrethana të caktuara, mund të ndodhin edhe reaksione të papajtueshmërisë, si: luhatje të lehta të tensionit, nauze ose reaksione alergjike, si urtikarie apo të kruajtura;
- në raste shumë të rralla, mund të vërehen efekte anësore të rënda si: problemet me frymëmarrjen, rënia e tensionit arterial, aritmia ose krampet.
- në raste të insuficiencës renale, mund të ndodhin inflamacione të lëkurës apo indeve të buta, me ngurtësim të artikulacioneve apo formim të cikatriceve për këtë arsye është shumë i rëndësishëm të dihet fuksioni renal përpara përdorimit të lëndës kontraste.
Pacientët klaustrofobikë:
Për pacientët që janë klaustrofobikë (kanë frikë nga vendet e mbyllura), ekzaminimi mund të kryhet edhe nën efektin e sedacionit, ku mjeku anastezist është i pranishëm për të dhënë medikamentet e nevojshme.
Gjithashtu, me ndihmën e mjekut anastezist, në spitalin tonë, mund të kryejmë MRI edhe për moshat pediatrike, të cilat nuk qëndrojnë brenda magnetit.