MAMOGRAFIA
MAMOGRAFIA
Është një ekzaminim radiografik specifik për gjirin me dozë të ulët rrezatimi, që përdoret si metodë depistuese për diagnostikimin e hershëm të kancerit të gjirit.
Mamografia mund të japë informacione për ndryshime në gji siç janë kalcifikimet dhe masat.
Kalcifikimet janë depozitime të vogla të kalciumit në gji, të cilat duken si njolla të vogla të bardha në filmat e mamografisë. Ato mund të jenë edhe makrokalcifikime ,shkaktohen nga një sërë patologjish jo kancerogjene dhe mikrokalcifikime të cilat janë kancerogjene dhe kërkojnë ndjekje të mëtejshme me biopsi deri në heqjen e tyre.
Masa, e cila mund të ketë ose jo kalcifikime, është një tjetër ndryshim i rëndësishëm në mamografi. Masat mund të jenë kiste, (sakuse të mbushura me likid), masa solide jo kanceroze dhe mund të jenë tumore kanceroze. Çdo masë që nuk është kist i thjeshtë kërkon të ndiqet nga biopsia. (biopsia është marrja e një pjese indi në gji për të parë nëse ka qeliza kanceroze në të).
Duke paraqitur dhe mamografinë e kryer më parë, ju ndihmni mjekun radiolog për të vlerësuar nëse masa apo kalcifikimi ka ndryshuar në madhësi dhe formë.
Mamografia mund të përdoret si ekzaminim kontrolli dhe për qëllime diagnostikuese për të vlerësuar gjëndra në gji.
- Mamografi kontrolli – Përdoret për të detektuar ndryshime në gji në gra që nuk kanë shenja apo simptoma. Qëllimi është të detektohet kanceri përpara se të japë shenja klinike.
- Mamografi diagnostike – Përdoret për të investiguar ndryshime dyshuese në gji, sic janë noduse në gji, dhembje gjiri, retraksion të lekurës, trashje të mamelës apo rrjedhje të saj. Përdoret gjithashtu për të vlerësuar të dhëna jo normale në mamografinë e kontrollit.
Aparati i Mamografisë
Mamografia është një pajisje mjekësore e dizenjuar për diagnostikimin e indeve të gjirit. Pajisja e mamografisë përdor rreze X me dozë më të ulët se rrezet X të zakonshme. Mamografi përbehet nga burimi i rrezeve X si C-arm që në fund ka të vendosur pajisjen për marrjen e imazhit. C-arm është i dizenjuar në mënyrë të tillë, që lejon rrotullimin e vazhdueshëm për t’u krijuar mundësia e marrjes së imazheve në projeksione të ndryshme dhe me pacientin në këmbë ose ulur. Sistemi i lejon teknikut radiolog të rrotullojë C-arm 180° në njërën anë në lidhje me aksin vertikal dhe të paktën 50° në anën tjetër. Kjo hapsirë lëvizjeje lejon kryerjen e marrjes së imazheve në pozicione të ndryshme. Për arsye se rrezet X nuk përshkojnë me lehtësi indet e gjirit, pajisja përbëhet nga dy pllaka – një pllakë plastike e vendosur sipër dhe një pllakë e fiksuar që ndodhet poshtë, e cila mban kasetën e filmit ose detektorin digjital që regjistron imazhet. Pllakat kanë funksion të komprimojnë gjirin, duke i bërë indet të ndashme nga njëra-tjetra. Kjo jep një imazh më të mirë dhe përdor dozë më të ulët rrezatimi. Gjatë komprimimit të gjirit mund të ndjeni mungesë rehatie, madje edhe dhembje që zgjat vetëm pak sekonda dhe nuk dëmton gjirin.
Kush duhet të kryejë mamografi?
- gratë mbi 40 vjeç;
- gratë te të cilat, në mamografinë e kontrollit, janë vërejtur lezione që kërkojnë ndjekje të mëtejshme;
- gratë të cilat, në ekzaminimin me eko gjiri, kërkojnë karakterizim të mëtejshëm të lezioneve;
- gratë me moshë më të vogël se 40 vjeç, për të cilat nevojitet mamografi diagnostikuese;
- gratë me histori familjare për kancer gjiri (nga nëna, motra, gjyshja, tezja, halla).
Përgatitja e pacientit përpara dhe gjatë ekzaminimit
Koha më e mirë për të kryer ekzaminimin e mamografisë është 6-7 ditë pas fillimit të ciklit menstrual. Informoni mjekun ose teknikun radiolog nëse ekziston mundësia e të qënurit shtatzënë apo nëse ushqeni fëmijën me gji.
Në ditën e ekzaminimit nuk duhet të keni përdorur deodorant, parfum, pudër, locione në regjionin poshtë krahëve apo në gji, pasi këto mund të interferojnë në imazh si pika të kalcifikuara (për shkak se përmbajnë alumin).
Përshkruani simptomat e gjirit apo problemet te tekniku radiolog përpara ekzaminimit.
Paraqitni mamografinë e mëparshme (nëse keni kryer më parë edhe në qendra të tjera mjekësore) mjekut radiolog. Kjo nevojitet për krahasimin me ekzaminimin që do të kryeni.
Ju duhet të zhvisheni nga mesi e sipër dhe të hiqni të gjitha bizhuteritë rreth qafës.
Ju duhet të qëndroni përpara pajisjes së mamografisë, e cila do të vendoset sipas gjatësisë suaj.
Tekniku radiolog do pozicionojë gjirin tuaj në platformë dhe do e komprimojë gjirin me pllakën plastike të aparaturës. Komprimimi do jetë i parehatshëm madje mund t’ju shkaktojë dhe dhembje, por zgjat vetëm pak sekonda.
Ju duhet të mbani frymën gjatë kohës që merret imazh.
Ekzaminimi zgjat nga 15 min deri në 30 min.
Në ekzaminimet e kontrollit merren zakonisht dy imazhe në pamje të ndryshme për secilin gji.
Pas mbarimit të ekzaminimit, tekniku ia paraqit imazhet mjekut radiolog.
Dy projeksionet standarte të mamografisë:
Vetëkontrolli që çdo grua duhet të kryejë një herë në muaj:
Hapi 1: Filloni duke parë gjoksin në pasqyrë me shpatullat prapa dhe me duart në ije.
Duhet të shikoni:
- Nëse gjinjtë kanë ndryshuar në pozicionin e tyre të zakonshëm, formën apo ngjyrën.
- Nëse keni rrudhosje ose fryrje të lëkurës.
- Nëse keni ndryshim të pozicionit të thithkave ose thithka të futura brenda.
- Skuqje, dhembje, ënjtje ose puçra.
Hapi 2: Ngrini duart lart dhe kërkoni për të njëjtat ndryshime.
Hapi 3: Duke u parë në pasqyrë, kontrolloni nëse keni rrjedhje të gjoksit (që të jete ujë, qumësht, likid i verdhë ose gjak).
Hapi 4: Ndërkohë që jeni shtrirë, prekni gjoksin duke përdorur dorën e djathtë për gjoksin e majtë dhe anasjelltas. Me gishtin tregues dhe dy të tjerët në pozicion të drejtë, kryeni lëvizje të vogla rrethore duke e prekur gjoksin butësisht. Me këtë lëvizje mbulojeni të gjithë zonën e gjoksit nga sipër-poshte dhe nga sqetullat deri tek ndarja e gjokseve.
Mund ta filloni nga thithkat duke u zhvendosur me lëvizje rrethore më të mëdha drejt pjesës së jashtme të gjoksit ose mund të zgjidhni lëvizjen vertikale duke e zhvendosur dorën nga lart poshtë. Për pjesën e sipërme përdorni shtypje të lehtë, për pjesën e mesit përdorni shtypje të mesme dhe për pjesën e poshtme përdorni shtypje më të fortë.
Hapi 5: Së fundmi prekeni gjoksin kur jeni në këmbë ose ulur. Shumë femra shprehen se mënyra më e mirë për të ndjerë ndryshimet është kur lëkura është e lagur. Përdorni të njëjtat lëvizje të përshkruara në hapin 4.