INFARKTI AKUT I MIOKARDIT
INFARKTI AKUT I MIOKARDIT

    Infarktit i miokardit (muskulit të zemrës) përfaqëson një aksident që ndodh në zemër, për shkak të ngushtimit të arterieve koronare nga një mpiksje gjaku (tromb). Nëse mungesa e rrjedhjes së gjakut (ishemia) është mjaft e gjatë (të paktën 20′-30′) dhe e vazhdueshme, dëmtimi i muskujve do të bëhet gjithnjë e më i gjerë dhe i pakthyeshëm, duke shaktuar nekrozë të indeve. Në varësi të zonës së prekur, kjo situatë mund të rrezikojë vdekjen e menjëhershme të pacientit. Shpesh dëmtohet rëndë shkalla e funksionit të miokardit. Përveç kësaj, shfaqen edhe çrregullimet e transmetimit të impulsit elektrik në miokard, që reflektohen në aritmi, e cila gjithashtu rrezikon jetën e pacientit.

    Infarkti akut i miokardit përbën urgjencë mjekësore dhe pacienti duhet të paraqitet menjëherë pranë spitalit tonë!

    Shkaqet:

    Arterioskleroza përfaqëson një ndryshim që ndodh në brendësi të enëve të gjakut. Muret e këtyre enëve forcohen, humbasin elasticitetin dhe diametri i tyre zvogëlohet gjithnjë e më shumë. Për pasojë, çrregullohet proçesi i qarkullimit të gjakut në to, që mund të shkaktojë mbylljen e një ene, duke u pasuar në këtë mënyrë, nga zhvillimi i një infarkti të miokardit.

    Për të parandaluar një infarkt miokardi dhe, veçanërisht, për të evituar një infarkt të ri, duhet përkatësisht të eleminohen dhe të trajtohen faktorët e rrezikut, që paraqiten më poshtë:

    • duhanpirja
    • hipertensioni arterial
    • diabeti i sheqerit
    • mbipesha dhe obeziteti
    • mbingarkesa e rëndësishme fizike dhe psikike
    • mungesa e aktivitetit fizik
    • ushqyerja jo e ekuilibruar, e pasur me yndyrna (kolesterol)
    • trashëgimia për sëmundje të arterieve koronare
    • menopauza

    Ankesat:

    • Dhembje gjoksi e fortë, e menjëhershme, e zgjatur, që nuk qetësohet me trinitrinë, mbytëse, me përhapje në nofulla dhe në krahun e majtë, në disa raste me përhapje në dy gishtat anësore të dorës së majtë.
    • I sëmuri mund të mbulohet me djersë, “t’i priten gjunjët”, të përjetojë gjendje “të fikëti”, në disa raste dhembja shoqërohet edhe me vështirësi në frymëmarrje.
    • Kur arteriet koronare janë të bllokuara pjesërisht nga pllaka me yndyrë, atëherë ankesat e të sëmurit shfaqen vetëm gjatë sforcimeve. Kjo gjendje klasifikohet si: Angina pectoris e qëndrueshme dhe i sëmuri duhet t’i nënshtrohet ekzaminimeve mjekësore menjëherë.
    • Kur dhembjet e gjoksit fillojnë të shfaqen edhe në qetësi ose e zgjojnë nga gjumi të sëmurin, kuptojmë rëndimin e sëmundjes. Kjo gjendje klasifikohet si: Angina pectoris e paqëndrueshme dhe paraqet urgjencë për ekzaminim dhe trajtim.

    Diagnoza:

    Infarkti i miokardit: Elektrokardiograma (EKG).

    Për të diagnostikuar një infarkt të miokardit, duhet të kryhet:

    • njohja e mjekut me simptomat e pacientit dhe historinë e fillimit të tyre
    • elektrokardiograma (EKG)
    • ekografia e zemrës
    • analizat e gjakut (enzimat e zemrës dhe proteinat)
    • kateterizimi i zemrës
    • TTE –
      Ekokardiografi Trans-Torakale Triplex (2D, Color, Doppler) ose e njohur ndryshe si Eko e Zemrës, është e domosdoshme për të parë funksionimin e Zemrës dhe lëvizshmërinë e mureve të saj.

    Koronarografia

    Koronarografia është një ekzaminim, që na jep informacion të detajuar dhe të saktë të enëve që furnizojnë me gjak zemrën (arteriet koronare) nëpërmjet përdorimit të rrezeve X, duke përcaktuar kështu numrin dhe shkallën e ngushtimeve brenda arterieve koronare, si dhe mënyrën më të përshtatshme të trajtimit të këtyre ngushtimeve.

    Koronarografia është një procedurë që nëpërmjet kontrastit të injektuar dhe rrezeve X shohim si rrjedh gjaku nëpër arteriet koronare. Ky ekzaminim realizohet duke futur brenda trupit të pacientit përmes një porte hyrëse – zakonisht një enë gjaku që kalon në pjesën e sipërme të kofshës apo në krah – një tub plastik të gjatë, të hollë dhe fleksibël të quajtur kateter, nëpërmjet së cilit injektohet në arteriet koronare lënda e kontrastit. Lënda e kontrastit ka vetinë të bëhet e dukshme nën veprimin e rrezeve X. Aparati i rrezeve X mundëson realizimin e një numri imazhesh, të cilat japin informacion të detajuar mbi pamjen e brendshme të arterieve koronare.

    Koronarografia realizohet në mënyrë urgjente kur pacienti paraqitet në kushtet e një infarkti, arresti apo ataku kardiak. Koronarografia iu rekomandohet atyre personave, të cilët kanë simptoma që na bëjnë të dyshojmë për sëmundje të arterieve koronare si psh dhembje gjoksi, e cila përhapet në nofull, qafë dhe krahun e majtë gjatë aktivitetit fizik, që nuk shpjegohet nga ekzaminimet e tjera; dhembje gjoksi e shfaqur për herë të parë apo dhembje gjoksi, e cila vjen duke u rënduar. Gjithashtu, koronarografia realizohet kur pacienti paraqet vështirësi në frymëmarrje, lodhje të theksuar, çrregullime të ritmit të zemrës apo ulje të funksionit të zemrës, të cilat nuk shpjegohen nga shkaqe të tjera. Pacientët mbi një moshë të caktuar, të cilët do të realizojnë një ndërhyrje kirurgjikale për shkak të sëmundjeve të valvulave të zemrës apo defekteve të lindura në zemër, duhet gjithashtu të realizojnë koronarografinë paraprakisht interventit.

    Pas realizimit të koronarografisë, pacienti merr një tablo të qartë të gjendjes së arterieve koronare. Arteria korornare mund të jetë pa stenoza, me stenoza jo sinjifikative, me stenoza kritike apo edhe të mbyllura plotësisht. Në varësi të gjendjes së arterieve koronare, bëhet dhe trajtimi i tyre.

    Mjeku kardiolog mund të rekomandojë trajtim medikamentoz, angioplastikë (rivendosjen e fluksit normal të gjakut nëpërmjet balonave apo implantimit të stenteve), apo trajtim kirurgjikal (Bypass-i koronar).

    Stenti është një tub i vogël (rrjetë metalike), që pozicionohet dhe fiksohet brenda enës së gjakut të ngushtuar, të shkaktuar nga grumbullimi i pllakave lipidike dhe e mban atë të hapur. Ekzistojnë dy lloje të stenteve:

    • Stentet klasike metalike (BMS)
    • Stentet me medikamente (DES). Këto stente përdoren më shpesh dhe mbulohen me medikamente që ndihmojnë në mbajtjen më të gjatë të hapur të një arterie të bllokuar.

    Procedura e zgjerimit të arteries nëpërmjet një stenti quhet ndërhyrje koronare perkutane (PCI) ose, me thjesht, angioplastikë.

    Trajtimi:

    Infarkti i miokardit: sa më shpejt që të jetë i mundur shtrimi në spital dhe operacioni.

    Infarkti i miokardit konsiderohet një urgjencë mjekësore. Pacienti duhet të shtrohet në spital në mënyrë urgjente për diagnostikimin dhe trajtimin e sëmundjes, pasi mbijetesa e tij pas këtij episodi varet nga shpejtësia e kryerjes së këtyre proceseve. Sa më shpejt të fillohet trajtimi dhe sa më korrekt të jetë ai, aq më të mëdha janë mundësitë e shërimit të sëmundjes.

    Në varësi të diagnozës përfundimtare të vendosur gjatë koronarografisë bëhet dhe trajtimi i të sëmurit.

    • Kur ngushtimi është i rëndësishëm, atëherë ena koronare zgjerohet me një mini balonë dhe më pas vendosen stente, të cilat quhen ndryshe edhe unaza. Këto të fundit bëjnë të mundur zgjerimin e arteries koronare duke lënë të lirë qarkullimin e gjakut.
    • Kur ka disa enë të ngushtuara janë në vende strategjike te të cilat ka vështirësi për vendosjen e unazës, i sëmuri i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjikale.
    • Ndërhyrja kirurgjikale quhet “Bypass Aorto Koronar”. Me anë të kësaj ndërhyrjeje realizohet një urë kalimi, e cila furnizon me gjak pjesën pas ngushtimit. Kjo urë kalimi realizohet me arterien ose me venën e vetë të sëmurit. Arteria merret nga kraharori ose nga krahu, venat merren nga këmbët.
    • Në rastet kur nuk gjykohet e nevojshme vendosja e stenteve, ose kryerja e operacionit, i sëmuri trajtohet vetëm me medikamente.

    Në të gjitha rastet, të sëmurët më sëmundje të arterieve koronareve ose ata të operuar me Bypass, duhet të ndiqen rregullisht nga mjeku kardiolog. Sipas protokolleve të përcaktuara ndërkombëtare ata duhet:

    • Të kryejnë rregullisht TTE dhe Provë Ushtrimore për të vlerësuar nëse unazat apo Bypass-et janë funksionale.
    • Të marrin në mënyrë rigoroze medikamentet që hollojnë gjakun, si plaviksin dhe aspirinën.
      • Të ruajnë peshën optimale.
      • Të mos konsumojnë duhan.
      • Të mos konsumojnë alkool.
      • Të bëjnë aktivitet fizik të caktuar sipas situatës dhe gjëndjes klinike, që e përcakton mjeku i cili ndjek të sëmurin.
    • Të mjekojnë në mënyrë rigoroze faktorët e tjerë të rrezikut, si:
    • tensioni,
    • yndyrnat,

    Parandalimi:

    A mund të parandalohet sëmundja ishemike dhe infarkti?

    Infarkti i miokardit: aktiviteti fizik në çdo moshë e parandalon!

    Masat më të dobishme në lidhje me parandalimin e zhvillimit të arteriosklerozës dhe shfaqjes së infarktit të miokardit përfshijnë: ushqyerjen e ekuilibruar, aktivitetin fizik të mjaftueshëm, konsumin në sasi të pakët të alkoolit dhe ndërprerjen e duhanit.

    Faktorët e rrezikut, si diabeti i sheqerit, hipertensioni arterial dhe niveli i lartë i yndyrnave duhet të trajtohen në mënyrë sa më korrekte.

    Pas një infarkti të miokardit, pacienti duhet të përfshihet në programe të stërvitjes kardiovaskulare, ku përfshihen sporte të tilla si: ecjet e gjata, çiklizmi, joga dhe noti. Pacienti duhet të informohet në mënyrë të hollësishme për këtë program nga mjeku që e trajton. Kjo mund të realizohet edhe në kushte spitali, me programe rehabilituese për grupe të mëdha pacientësh, që rritin shkallën e motivimit të tyre në këtë drejtim. Mund të parandalohen duke pasur parasysh objektivat e mëposhtëm:

    • ekzaminime rutinë ose Chek-Up i aparatit kardio vaskular (flasim për persona në dukje të shëndetshëm, pa ankesa);
      • për seksin mashkull pas moshës 40 vjeç;
      • për seksin femër pas moshës 45 vjeç (pra, kur fillon menopauza, ose kur ka menopauzë që në moshë të re për arsye të ndryshme).

    Në të dyja rastet e mësipërme ky Check-Up përfshin:

    • lipidogramën ose nivelin e yndyrnave (Kolesterol Total, HDL, LDL, Triglicerid),
    • Gliceminë, HbA1C (sheqeri, diabeti),
    • EKG e qetësisë,
    • TTE (eko e zemrës),
    • eko-n e vazave të qafës,
    • provën ushtrimore.

    Check-Up i mësipërm mund të realizohet në një moshë më të re kur ka të pranishëm disa faktorë rreziku, si:

    • LDL kolesteroli në shifra të larta;
    • histori familjare për infarkt akut të zemrës, arrest kardiak apo vdekje të papritur;
    • sëmundje nga diabeti që në moshë të re;
    • mbipeshë, obezitet;
    • konsumi i duhanit;
    • HTA (Hipertension) esencial persistent, i pa mjekuar;
    • konsumi sistematik i alkoolit;
    • jeta sedentare, pa aktivitet fizik;
    • stresi emocional i theksuar dhe mbizotërues;

    konsumimi i substancave narkotike apo stimulantëve të ndryshëm.

    Rezervo Vizitën

    spitali gjerman vizite