EKOKARDIOGRAFIA (EKO E ZEMRËS)
EKOKARDIOGRAFIA (EKO E ZEMRËS)
Ekokardiografia (Eko kardiake) është një ekzaminim me ultratinguj i zemrës, që na jep informacion në mënyrë të detajuar strukturat e zemrës, formën, përmasat, kontraktilitetin e mureve dhe morfologjinë e valvulave. Nëpërmjet efektit Doppler me ngjyra ekokardiograma jep të dhëna për funksionin e valvulave dhe shpejtësinë e fluksit të gjakut.
Ekokardiografia mund të realizohet në dy mënyra:
- Ekokardiografia Trans-Torakale ose TTE.
- Ekokardiografia Trans-Ezofageale ose TEE.
TTE është një ekzaminim bazë dhe lehtësisht i realizueshëm në fushën e Kardiologjisë. Ky ekzaminim është jo invaziv dhe realizohet nëpërmjet një sonde me ultratinguj, e cila në bazë të pozicionimit të saj na jep projeksione të ndryshme të zemrës.
Personat që duhet të realizojnë një ekzaminim me TTE janë personat që vuajnë nga:
- sëmundje të enëve koronare, infarkti akut i miokardit, ishemia.
- presioni i rritur i gjakut
- sëmundje të valvulave të zemrës.
- sëmundje të enëve të gjakut.
- sëmundje të lindura të zemrës.
- sëmundje të muskulit të zemrës.
- sëmundje të cipës së zemrës, perikarditet akute dhe kronike.
- tumore të zemrës.
- çrregullime të ritmit dhe të përçimit të impulsit.
- sëmundje kronike të mushkërive
- trombozat akute të mushkërive
Ekokardiografi Trans-Ezofageale ose TEE.
TEE është një ekzaminim invaziv. Ky ekzaminim realizohet me anë të një sonde endoskopike fleksible me ultratinguj, e cila futet në ezofag nëpërmjet gojës. Imazhi i përftuar është shumë më i detajuar dhe nëpërmjet tij mund të shihen struktura shumë më të vogla të zemrës, të cilat nuk shihen me TTE. Ky ekzaminim mund të kryhet me sedacion ose jo, në varësi të preferencës dhe gjendjes shëndetësore të pacientit. Në çdo rast është e nevojshme një parapërgatitje nga ana e pacientit, i cili duhet të qëndrojë disa orë pa konsumuar ushqime të ngurta apo lëngje përpara realizimit të TEE-së.
Në cilat raste duhet të kryhet TEE?
- Kur pamja në TTE nuk është e qartë.
- Për të konfirmuar indikacionet për ndërhyrje kirurgjikale te personat që vuajnë nga sëmundje valvulare, të aortës, defekte interatriale apo interventrikulare, sëmundje të lindura të zemrës etj.
- Për të parë funksionin e valvulave jo-native, tek ata pacientë që i janë nënshtruar interventeve kardiokirurgjikale të zëvendësimit apo riparimit të valvulave, ku dyshohet për dëmtim të fletëve të valvulave, dehishencë, infeksion etj.
- Për të zbuluar praninë e trombeve në zemër, tek ata pacientë që kanë çrregullime të ritmit apo pësojnë paraliza.
- Për pacientët që vuajnë nga sëmundjet koronare, apo ata që kanë kaluar Infarkt.
- Për pacientët që vuajnë nga dëmtime primare të muskulit të zemrës.
Prova ushtrimore
Prova ushtrimore është një ekzaminim që na jep informacion indirekt ose funksional në lidhje me furnizimin me gjak të muskulit të zemrës nga arteriet koronare. Ky ekzaminim mund të realizohet në një biçikletë statike apo në një pistë vrapi, sipas një protokolli të mirëpërcaktuar dhe zgjat afërsisht 8-13 min. Gjatë realizimit të provës ushtrimore, mjeku kardiolog dhe personeli mjekësor monitoron tensionin arterial, frekuencën kardiake, ritmin e zemrës dhe ndryshimet EKG-ike, si dhe gjendjen klinike të pacientit (pacienti mund të shfaqë lodhje, dobësi trupore, dhembje gjoksi, marrje fryme, dhembje këmbësh etj).
Rezultati i PU mund të jetë:
- Negativ – ka të dhëna për ngushtime të arterive koronare
- Pozitiv – ka të dhëna për vuajtje/ishemi të muskulit të zemrës në sforcim fizik dhe pacienti duhet të vazhdojë investigimin e mëtejshëm për sëmundjen e arterieve koronare. Në varësi të ndryshimeve të shfaqura në EKG, si dhe sëmundjeve shoqëruese, klinikës së shfaqur, moshës, faktorëve të riskut dhe gjinisë përcaktohet nëse pacienti do të realizojë CT skaner me kontrast të arterive koronare, apo Koronarografi.
- I dyshimtë ose jo konkludues – në këto raste, pacienti duhet të përsëritë PU sipas rekomandimit të mjekut kardiolog