Avantazhet dhe disavantazhet e ekzaminimit mamografik:

  • Ekzaminimi i rregullt mamografik mundëson, në shumicën e rasteve, zbulimin e kancerit të gjirit më shpejt se ç’mund ta kuptoni vetë. Kanceri i gjirit që diktohet që herët, rrallë përbën kërcënim për jetën. Kërkimet shkencore tregojnë se vdekshmëria nga kanceri i gjirit mund të ulet me 30-45% përmes kryerjes së ekzaminimeve mamografike.
  • Asnjë metodë diktimi e kancerit të gjirit nuk është 100% e saktë dhe as mamografia nuk përbën përjashtim. Me raste, anomalitë në mamografi mund të duken të dyshimta, por me ekzaminimin e mëtejshëm rezultojnë se nuk janë kanceroze. Kjo ndodh përafërsisht në dy raste për çdo 100 mamografi. Si rregull nevojiten vetëm pak mamografi të tjera dhe rëndom kërkohet një ekzaminim me ultratinguj për vlerësimin përfundimtar. Disa herë mund të nevojitet dhe biopsi si dhe, megjithëse shumë rrallë, një operacion i vogël në gji. 
  • Ekzaminimi mamografik nuk mund të diktojë të gjitha tumoret kanceroze – disa ndodhin dhe gjatë intervalit midis një mamografie negative dhe mamografive të planifikuara për t’u kryer në vijim. Kjo mund të ndodhë nëse tumori avancon me shpejtësi ose dhe nëse nuk jep shenja anomalie në mamografitë e kryera.
  • Mamografitë mund të diktojnë kancerin e gjirit në stade shumë të hershme. Nuk ka të ngjarë që gjithë këto ndryshime të hershme të shndërrohen me kalimin e kohës në kancer “të rrezikshëm”. Kryerja e mamografive ekzaminuese rrit shkallën e zbulimit të zhvillimit të indeve anomale ose të kancerit në stadet e tij të para, të cilat sipas gjasave nuk zhvillohen në kancer “të rrezikshëm”.
  • Gjatë kryerjes së mamografisë, pacientët ekspozohen ndaj një doze shumë të ulët rrezatimi. Kjo mund të krahasohet me rrezatimin e ulët nga hapësira, nga toka dhe me rrezatimin natyral nga trupi i çdo njeriu për një periudhë dymujore, ndaj të cilit ekspozohemi të gjithë. Sipas Autoritetit të Sigurisë ndaj Rrezatimit në Suedi, rreziku i lëndimeve nga rrezatimi është i papërfillshëm, si në ekzaminimet e rregullta, ashtu dhe në ato të përsëritura. Kur gjiri ngjishet, rrezet X(iks) kanë rrugë më të shkurtër përgjatë gjirit, gjë që redukton edhe më tej dozën e rrezatimit.
  • Referimi për mamografi. Ekzaminimet mamografike jashtë rutinës ndodhin në rast referimi nga doktori. Të gjitha ndryshimet në gji duhen marrë seriozisht dhe duhen kontrolluar. Nëse diktoni ndryshime në gjirin tuaj, duhet të kontaktoni me qendrën shëndetësore të zonës tuaj ose me klinikat e gjirit.

Shembuj të ndryshimeve të gjirit :
• Një gungë e re në gji, ose ndryshim në konturin e gjirit.

• Shenja në lëkurë ose në majën e gjirit.

• Rrjedhje lëngu me gjak ose pa ngjyrë nga maja e gjirit.